Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qëndron Kastrati e Kadri Rahimaj përplasen se kush i ka 'ma shokë Albin Kurtin e Liburn Aliun'

Kandidatët për kryetar të Komunës së Kamenicës kanë replikuar në Debat Pernime për bashkëpunimin e komunës me Qeverinë për projekte të ndryshme.

Kandidati nga radhët e PSD-së Qëndron Kastrati tha se nuk është korrekte që për nivel lokal çdo herë të thuhet se punët do t’i kryejë qeveria, duke aluduar në deklarimet e kundërkandidatit të tij nga radhët e LVV-së.

Diskutimi pasoi kur Kastrati tha se e kanë një problem me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që udhëhiqet nga Liburn Aliu (LVV) për të marr pëlqim nga ta për Deponinë e mbeturinave inerte që të funksionalizohet. 

Kastrati tha se për këto çështje nuk ka raporte shoqërore, duke shtuar se Qeveria e Kosovës e ka për obligim t’i përgjigjet kërkesave të komunave.

Ai shtoi se “Nuk ka qare edhe Liburni edhe Albini pa mu përgjigj edhe mua kur t’jem kryetar i komunës”.

“Ne jemi bre duke garu për kryetar të komunave. Nuk ka kuptim me u thirr vazhdimisht që do ta bëjë Qeveria. Po Qeveria do t’i bëjë sepse i ka për obligim. Për mua ëhstë me rëndësi me tregu edhe unë edhe z. Rahimaj çka kemi me bo ne si kryetar. Nuk ka qare edhe Liburni edhe Albini pa mu përgjigj edhe mua kur tjam kryetar i komunës. Nuk është kjo punë shoqërore Kadri, madje edhe në raporte personale unë të siguroj që me mijëra orë unë kam nejt më shumë me ta sesa ti, për ata që të njohin”, tha ai.

Kurse, kandidati për kryetar të Kamenicës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Kadri Rahimaj e akuzoi Kastratin se e ka tradhëtuar LVV-në, kur ka kaluar në PSD.

“Ti ke mujt me qëndru edhe me Albinin edhe me Liburnin, por ti i ke tradhtuar, tash s’mundesh me qëndru as pesë minuta”, tha ai.

Më pas ia ktheu Kastrati duke shtuar se nuk mundet t’i tradhëtojë bindjet.

“Po çka është tradhtia, cili është koncepti? Unë nuk mundem m’i tradhtu bindjet dhe idealet.. është banale.”, u shpreh ai.

Tutje iu kundërpërgjigj kandidati Rahimaj.

“Ti as s’i bindje dhe as ideale, ti e ke tradhtuar. As parime nuk ke madje. E di që nuk është raport shoqëror, por është raport parimor, ku ne kemi me ndërtu qasje parimore me subjektin tonë në nivel qendror”, tha ai. 

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Kamenicës diskutojnë në #DebatPernime për balotazhin e 14 nëntorit. 

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Kamenicë: Qëndron Kastrati nga Partia Socialdemokrate dhe Kadri Rahimaj nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së, kandidati i PSD-së për kryetar të Kamenicës, Qëndron Kastrati në raunadin e parë të zgjedhjeve më 17 tetor ka marrë 5 mijë e 408 vota, apo 32,52 për qind. Kurse kandidati i LVV-së Kadri Rahimaj ka siguruar 5 mijë e 156 vota, apo 31,01 për qind. 

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.