Qëndron Kastrati: Besoj në pafajësinë e zyrtarëve komunalë që u arrestuan sot

Ish-kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka reaguar pas arrestimit të tre zyrtarëve komunalë të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me një tender për furnizim me dollapë të tetë shkollave në këtë komunë.

Kastrati tha se stafi i Komunës ka rënë viktimë nga ana e kompanisë e cila nuk e kishte bërë furnizimin me dollapë duke u thirrur në çrregullimet e tregut të furnizimeve si pasojë e pandemisë.

“Ky është një gabim procedural nga zyrtarët e arrestuar por i cili u bë me qëllimin e vetëm — të mirën publike. Ata vet e kanë denoncuar rastin. Unë u kam besuar plotësisht dhe vazhdoj t’u besoj. Një vepër penale e keqpërdorimit të detyrës zyrtare kryhet vetëm me dashje të përfitimit a pasurimit personal. Në rastin konkret, dashja e vetme e zyrtarëve të komunës ishte që mjetet të mos përfundojnë si suficit, por të shfrytëzohen për shkollat e Kamenicës”, ka shkruar ai.

Ai e ka quajtur ‘ndikim politik’ arrestimin e  zyrtarëve në ditën kur Lëvizja Vetëvendosje ka bërë kallëzim penal përkundër që sipas tij një kallëzim penal për të njëjtën çështje është bërë muaj më parë.

“Shpifjet dhe manipulimet e Kadri Rahimajt janë të papranueshme dhe dashakëqija të cilat eksploatojnë një fatkeqësi për përfitime politike. Qeverisjen e dobët të Vetëvendosjes nuk e kompenzon përndjekja, damkosja dhe marrja e meritave për një rast që qëllimin e vetëm e ka pasur të mirën publike…Unë besoj fuqishëm në pafajësinë e tre kolegëve të arrestuar dhe i bëj thirrje gjykatës ta trajtoj këtë rast drejt dhe të mos ndikohet nga politika”, tha ai.

Katër persona janë arrestuar në Kamenicë nën dyshimin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare në lidhje me një tender në vlerë 35 mijë euro për furnizim me dollapë në tetë shkolla.

Policia ka njoftuar se tre anëtarë të komisionit vlerësues të Komunës së Kamenicës kishin nënshkruar raportin e pranimit të mallit pa e pranuar realisht atë.

Anipse mallin nuk e kishte dërguar, kompania kishte marrë paratë.

Kryetari i Kamenicës paralajmëron suspendimin e zyrtarëve komunalë të arrestuar sot