Qëndron Kastrati, kryetar i Komunës së Kamenicës.

Qëndron Kastrati bën kallëzim penal ndaj drejtorit të MAShTI-it

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati që para disa muajsh ka lansuar platformën për reformën në arsim në komunën e tij, po pretendon se Drejtori i Departamentit për Arsim Parauniversitar i Ministrisë së Arsimit, Alush Istogu po e pengon zbatimin e reformës së tij.

“Për të realizuar reformën në Kamenicë jemi nisur nga përgjegjësitë ligjore, obligimet institucionale e interesi i përgjithshëm shoqëror që na udhëheqë, por asnjëherë s’i kemi përjashtuar konsultimet me palët e tjera të interesit siç është Ministria e Arsimit. Gjatë këtij procesi, fatkeqësisht, ka pasur edhe tentativa për pengim, për motive të pashpjegueshme. Një e tillë ka ardhur nga Drejtori i Departamentit për Arsim Parauniversitar i Ministrisë së Arsimit, Alush Istogu”, ka shkruar Kastrati në Facebook.

Sipas tij, Istogu e ka injoruar komunikimin zyrtar me Kastratin dhe për të ka paraqitur kallëzim penal.

“Zyrtari në fjalë në njërën anë ka shpërfillur totalisht komunikimin zyrtar me komunën (katër emaile të dërguara nga komuna, nuk kanë marrë kurrë përgjigjen e z. Istogu), e në anën tjetër ka keqpërdorur pozitën e tij duke nxitur qytetarët të rezistojnë”, thotë Kastrati.

“Është e papranueshme të dëmtohet seriozisht një proces institucional e i ligjshëm – siç ka ndodhur nga veprimet e z. Istogu, vetëm sepse jemi mësuar të mos përballemi me pasojat e veprimeve tona. Ndaj këtij personi, ne kemi paraqitur Kallëzim Penal pranë Prokurorisë Themelore, Departamenti i Krimeve të Rënda”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, Istogu për KALLXO.com ka thënë se nuk ka qenë asnjëherë pengesë e reformës së tij.

“Unë asnjëherë nuk kam qenë pengës dhe në asnjë rast. Në një takim qe e kemi pas në MASHT me kryetarin Kastrati me një delegacion nga komuna, kemi thënë që çdo reformë qe merret në ngritjen e cilësisë në arsim do të mbështetet por DKA dhe Komuna të ketë një strategji për reformën e arsimit”, ka thënë Istogu për KALLXO.com.

“Kanë qenë edhe një delegacion i shkollave dhe Këshillit të Prindërve dhe kam kërkuar që të filloi procesi mësimor në shkolla se nxënësit duhet të vijon mësimin t’i marrin tekstet shkollore”, ka shtuar ai.

KALLXO.com ka raportuar se janë bërë tashmë gjashtë javë që kur disa nxënës të fshatrave të Kamenicës nuk janë duke mbajtur mësim, pasi që prindërit nuk pajtohen me reformën e nisur nga Kastrati.

Revolta ndaj reformës në arsim lë nxënësit pa mësim në Kamenicë

 

Në anën tjetër, mos respektimi i kësaj reforme, ka bërë që komuna t’i padisë 23 prindër, me arsyetimin që nuk janë kujdesur për shkollimin e detyrueshëm të fëmijëve të tyre.

Kastrati qysh nga fillimi i reformës në arsim është përballur me protesta dhe reagime.

Vendimin ai e mori më 30 gusht të këtij viti dhe pretendon që të zvogëlojë numrin e shkollave që kanë numër të vogël të nxënësve, t’i socializojë nxënësit dhe të organizojë transport për ta, në mënyrë që të ketë një kosto më të vogël.