Qendrës së Kulturës në Vushtrri i vendoset mbishkrimi antik VIZ

Shtëpia e Kulturës “Hasan Prishtina” në Vushtrri do të mbaj mbishkrimin antik VIZ.

“Qendrës së Kulturës në Vushtrri, krahas objektit te ri modern e shumë atraktiv që po ndërtohet, në ballinën kryesore i është vendosur mbishkrimi VIZ, që simbolizon antikitetin që ka qyteti i Hasan Prishtinës”, ka thënë  drejtoresha e Kulturës, Fatmire Cecelia.

Sipas Cecelisë këtë mbishkrim antik për herë të parë në qytetin e Vushtrrisë, e kanë  sjellur Prof.dr. Jahja Drançolli dhe Dr.sc. Izet Miftari në vitin 2002, të cilët edhe e kanë deshifruar që flet për stacionin romak, Vizianum (Vicianum).

Ndër të tjerash ajo tha se ky mbishkrim i takon shekullit II pas Krishtit, është zbuluar në Kumanovë, dhe ishte me gjasë një lloj shenje e komunikacionit, që tregonte se rruga të dërgonte për në Vicianë.

Në objektin e ri që  është në procesin e funksionalizmit,  parashihet të vendosen zyrtarët e qendrës, ansambli, arkivi, biblioteka dhe teatri.

Ndryshe nga objekti i vjetër në të do vendosen edhe galeria e arteve, sallat e ushtrimeve për vallëzim, salla e konferencave, hapësira për lexues dhe vendosjen e librave.