
Qendra Evropiane për Liri të Medias e zhgënjyer dhe e shqetësuar nga zgjedhja e Luljeta Aliu-Krasniqit anëtare në KPM
Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) është shprehur e zhgënjyer dhe e shqetësuar me vendimin e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Luljeta Aliu-Krasniqit anëtare të Komisionit të Pavarur për Media (KPM).
Në reagimin e Qendrës thuhet se Luljeta Aliu-Krasniqi ka mbështetur publikisht partinë në pushtet, LVV-në.
“Jemi shumë të shqetësuar dhe të zhgënjyer nga vendimi i Kuvendit të Kosovës, i kontrolluar nga Lëvizja Vetëvendosje, për të zgjedhur Luljeta Aliun anëtare të Komisionit të Pavarur për Media (KPM). Aliu ka përkrahur me zë, rregullisht dhe publikisht Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) dhe politikën e saj. Në asnjë mënyrë ajo nuk mund të konsiderohet e pavarur”- thuhet në reagimin e ECPMF.
Tutje, Qendra thekson se kjo zgjedhje është hap drejt rikapjes politike , njësoj si ishte bërë në të kaluarën.
“Na vjen keq që e shohim këtë zhvillim, pasi bie ndesh me procesin e depolitizimit të KPM-së që kishte filluar LVV-ja. Kjo zgjedhje është një hap i madh drejt rikapjes politike, në të njëjtën mënyrë që u bë në të kaluarën”- potencohet në njoftim.
Nga Federata Evropiane tutje theksohet se do iniciojnë shkëmbim me Këshillin e Evropës dhe PACE për t’i informuar lidhur me këtë zhvillim.
“Ne do të nisim menjëherë shkëmbim me Këshillin e Evropës dhe PACE për t’i informuar për këtë zhvillim shqetësues që do të ketë ndikim të madh në pavarësinë e KPM-së”- thuhet në reagimin e Federatës.
Me 48 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kandidatja Luljeta Aliu – Krasniqi është zgjedhur sot anëtare e Komisionit të Pavarur të Mediave.
Luljeta Aliu – Krasniqi ka qenë në garë me kandidaten tjetër Violeta Hyseni -Kelmendi për pozitën anëtare grua në KPM.
Luljeta Aliu-Krasniqi emërohet anëtare e KPM-së, për dy kandidatët tjerë do të përsëritet konkursi