Qendra Europiane e Lirisë së Shtypit dhe Mediave i del në mbrojtje BIRN-it në lidhje me padinë e PDK-së

Qendra Europiane e Lirisë së Shtypit dhe Mediave (ECPMF) i ka dalë në mbrojtje Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) dhe gazetares Jeta Xharra, e cila ka bërë një hulumtim, i cili tregon se me paratë e taksapaguesve të Kosovës janë paguar lobistë për temën e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë.

Në lidhje me këtë hulumtim të gazetarës Xharra, PDK-ja ka ngritur padi për “shpifje’.

“ECMPF është shokuar kur ka kuptuar për një proces gjyqësor që pretendon 2 milionë euro dëmshpërblim, është ngritur kundër BIRN Kosovës. Kërcënimet ligjore janë bërë një nga kërcënimet më serioze ndaj shtypit të lirë”, thuhet në reagimin e Qendrës Europiane për Lirnë e Shtypit dhe Mediave.

ECPMF ka kërkuar nga PDK-ja dhe ish-ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha, që ta tërheqin këtë proces gjyqësor të pavlerë, siç e kanë quajtur ata.

“Nëse ka nevojë, ne do të sigurojmë mbështetje praktike dhe monitorim të seancave gjyqësore”, thuhet në reagimin e ECPMF-së.

Hulumtimi i publikuar ditë më parë nga BIRN zbuloi se ish-ministrja e Integrimit Evropian ka lidhur një kontratë të dyshimtë për të lobuar pro shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një ide e proklamuar gjatë vitit 2018 edhe nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili ishte kryetar i PDK-së, partisë të cilës i takon Dhurata Hoxha.

Hulumtimi i dytë gjithashtu, zbuloi se në lobim për shkëmbim territoresh ishte i përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Paris, Qëndrim Gashi.

Padia e PDK-së kundër BIRN nuk mund ta fshehë të vërtetën