Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qendra e Vaksinimit në Gjakovë për tri orë mbetet pa rrymë

Për tri orë rresht Qendra e Vaksinimit në Gjakovë gjatë ditës së djeshme ka qëndruar pa energji elektrike.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com Afërdita Spahiu, drejtoreshë komunale e Shëndetësisë në Gjakovë.

Sipas saj, rrymë është ndalur nga KEDS për shkak të punimeve në rrjet ndërsa vaksinat janë larguar nga qendra për shkak të temperaturës.

Spahiu e pyetur nga KALLXO.com se a është shkaktuar ndonjë dëm te vaksinat, e njëjta ka deklaruar se të gjitha vaksinat janë larguar me kohë.

“Nuk ka pasur rrymë për 3 orë për shkak se është ndërruar një kabllo, është ndërprerë rrymë për shkak se punëtorët shëndetësorë nuk kanë pasur si t’i fusin në sistem qytetarët. Kurse vaksinat janë larguar janë bartur në frigoriferë në qendrën e vaksinimit që ka qenë më herët “Ereniku”. Kemi qenë të paralajmëruar dhe kemi biseduar, por që s’kanë mundur të bëjnë asgjë për shkak të ndërrimit të kabllos”, ka deklaruar Spahiu.

Vaksinat anti-COVID-19 kërkojnë një sistem ftohjeje special për shkak të ndjeshmërisë së tyre, varësisht nga lloji i vaksinës.

Këto vaksina kërkojnë ftohje deri në -80 gradë.