Qendra e Studentëve thotë se i ka të sigurta dhe të dezinfektuara të gjitha objektet

Qendra e Studentëve përmes një njoftimi, ka thënë se me kohë i ka marrë të gjitha masat për parandalimin e pandemisë COVID-19.

Sipas këtij njoftimi, dhomat, banjot, korridoret dhe oborri i Qendrës së Studentëve janë të pastra dhe të sigurta.

“I sigurojmë të gjithë qytetarët, që do të vendosen se kushtet janë të përshtatshme, i plotësojnë të gjitha standardet. Rasti i sotëm që është publikuar nga një persona publik, është vetëm një pakujdesi e vogël, që ka mundur të ndodhë nga koha e shkurtër që kemi pasur në dispozicion, është nje rast i izoluar. Gjithçka tjetër është në rregull”, thuhet në njoftimin e Qendrës së Studentëve.

Dje Qeveria ka marrë vendim që Qendra e Studentëve në Prishtinë të shndërrohet në karantinë.

Ndërsa sot, aty janë vendosur 39 qytetarë të kthyer nga jashtë, të cilët do të qëndrojnë aty për 14 ditë.

Për të menaxhuar situatën dhe për të dhënë siguri, Policia e Kosovës ka dërguar ekipe policore dhe të njësive speciale në Qendrën e Studentëve.

Zyra për media e Policisë së Kosovës, i ka thënë për KALLXO.com se janë pjesë e Komisionit shtetëror për menaxhim dhe parandalim të coronavirus.

Policia tregon se pse po qëndron në objektet në ‘Qendrën e Studentëve’