Foto: Ilustrim

Qendra e Studentëve i drejtohet komunës së Prishtinës: Situata me qentë endacakë, shqetësuese dhe e rrezikshme

Qendra e Studentëve në Prishtinë përmes një reagimi drejtuar Komunës së Prishtinës janë shprehur se situata me qentë endacak është bërë shqetësuese dhe e rrezikshme për studentët banues në konvikte, punëtorë e kalimtar rasti.

Në reagim, QS potencon se i janë drejtuar komunës për zgjidhje të këtij problemi, por nuk kanë marrë përgjigje.

“Problemi me qentë endacakë është bërë shqetësuese dhe shumë e rrezikshme për studentët banues në konvikte, punëtorët dhe qytetarët kalimtar të rastit, të cilët shfrytëzojnë për lëvizje, hapësirat e Qendrës së Studentëve” – thuhet në reagim.

Tutje, qendra thekson se “Sulmet nga qentë endacakë për studentët, çdo ditë e më shumë po kthehen në çështje serioze dhe shqetësuese”.

Në reagim është kërkuar po ashtu nga zyrtarët e Komunës së Prishtinës, që “sa më shpejtë të ndërmarrë masa të menjëhershme për t’i mbrojtur studentët dhe qytetarët nga ky rrezik”- thuhet në këtë reagim.

Komuna e Prishtinës në vitin 2024 hapi strehimoren dhe qendrën për trajtim të qenve endacak në Hajvali, derisa në plan është edhe ndërtimi i një qendre tjetër në fshatin Slivovë.

Pas funksionalizimit të kësaj qendre në Hajvali, drejtoria përkatëse në komunë nisi mbledhjen e qeneve në zonat ku raportohet për sulme, por edhe ku qentë rrinë në tufa, si QKUK, Parku i Qytetit dhe Kampusi Universitar.

Në këtë qendër bëhet kastrim, sterilizim dhe vaksinim i qenve.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në shumë paraqitje publike ka bërë të ditur se menaxhimi i situatës me qentë endacak nuk mund të bëhet vetëm nga niveli lokal, por duhet edhe bashkëveprim me komunat përreth, si dhe investim edhe nga niveli qendror.

Komuna e Prishtinës nga viti 2024 paguan me 50 euro në muaj secilin qytetarë që adopton qen të rrugës.

Derisa, në qytet ekzistojnë edhe 18 pika ushqyese për qentë endacak.