Qendra e Studentëve hap dyert për banim gjatë shtatorit

Studentët e Universitetit të Prishtinës që banojnë në komuna më të largëta nuk do ta kenë të nevojshme të udhëtojnë për në kryeqytet gjatë kohës së provimeve në afatin e shtatorit.

Kjo gjë u bë e ditur të enjten pasi Qendra e Studentëve (QS) doli me një njoftim përmes të cilit shpjegoi se konvikti numër 1  do të punojë me recepcion nga data një shtator deri më 23 shtator.

Drejtori i kësaj Qendre, Fatmir Sfishta ka shpejguar se kjo praktikë gjatë afatit të provimeve është bërë edhe në të kaluarën kur ka pasur kërkesa të mjaftueshme nga studentët, por kushtet me pandeminë COVID-19 e kishin pamundësuar këtë gjë.

“Po zakonisht ne e hapim konviktin, veç në dy vitet e pandemisë që ka qenë 2020, 2021 (nuk është hapur) se zakonisht e hapim konviktin edhe në shtator, por në korrik kemi pasur kërkesa pak, tani kemi interesim më të madh”- ka shpjeguar Sfishta për KALLXO.com.

Këtij lajmi i është gëzuar studenti nga Suhareka, Flamur Kabashi.

“Njoftimi për banim me recepsion duket i qëlluar dhe mjaft i saktë për studentët” – thotë Kabashi i cili e vlerëson si të volitshëm çmimin që duhet paguar për banim në konvikt.

“Besoj që marr parasysh koston e jetesës e cila është shtrenjtuar, çmimet e konvikteve kanë mbetur njëjtë” – shprehet ai.

Edhe studentja Lediona Sadiku, pohon se kjo gjë është një lehtësim për të pasi që ajo shpjegon se jeton në fshatin Botushë të Gjakovës dhe për të udhëtimi deri në Prishtinë për provime është i lodhshëm dhe i kushtueshëm.

“Unë deri në Gjakovë i bëj zakonisht 45 minuta, pastaj prej Gjakovës deri në Prishtinë shkon një orë e 40 minuta, një orë e 50 minuta, varet sa ka kolonë gjatë rrugës. Edhe shpenzimet për rrugë janë më të mëdha deri në Prishtinë. Për shembull mua për vete më shkojnë dikund 14-15 euro për me shku në Prishtinë dhe mu kthy prej Prishtine” – thotë Lediona.

Ajo tregon se më parë nuk i ka rastisur të banojë me recepsion në konvikt, por kjo zgjidhje i duket e duhur.

“Nuk kam banu më herët me recepsion, por më është dukur mundësi e mirë për ata që kanë provime për shtator, mendoj se u konvenon të gjithë studentëve, jo vetëm mua”.

Një tjetër studente që synon të aplikojë për konvikt gjatë shtatorit është edhe O.H., e cila shprehet se është ndarë e kënaqur me kushtet që i ka ofruar Qendra e Studentëve gjatë kohës kur ajo banonte në konvikt.

“Unë kam qene banuese e QS këtë vit akademik edhe ka qene një përparësi shumë shumë e madhe në krahasim me studentet e tjerë që nuk kanë qenë banues. Edhe tash që e morra vesh lajmin që kanë lejuar që të hapet njëri konvikt me recepcion u gëzova shumë” – thotë ajo për KALLXO.com.

Sipas saj, konvikti i ofron mundësi më të mira për t’u përgatitur për provime pasi për të një gjë e tillë është e vështirë në kushtet e shtëpisë.

“Duke u nisur fillimisht nga vetja ime e di se sa të pamundur e kam të përgatitem për provime në ambientin e shtëpisë, konvikti është mundësia më e mirë që më ofrohet” – thotë ajo.

Drejtori i QS, Fatmir Sfishta ka thënë për KALLXO.com se gjatë banimit me recepsion, krahas konviktit nuk do të jetë e hapur mensa.

Për këtë O.H., thotë se vetmja zgjidhje që i mbetet gjatë kësaj kohe është që të ushqehen jashtë.

“Sa i përket mensës kish me qenë mirë që të hapet edhe ajo sepse kushtet në konvikt nuk janë të atilla që ti vet mundesh me përgatit diçka për ushqim, të vetmen mundësi e kemi me dal jashtë ose me porosit. Mirëpo prapë se prapë QS ka vendos ta hap vetëm njërin konvikt pa hapësirën e mensës edhe neve na mbetet vetëm zgjidhja qe me marr ushqim nga jashtë”- shpjegon kjo studente e cila megjithatë shprehet se nuk beson që kjo gjë do të jetë problem aq i madh pasi që bëhet fjalë vetëm për një muaj.

Strehimi në konvikt për studentët e Universitetit të Prishtinës bëhet cdo vit nga 1 tetori e deri në fund të qershorit. Përpos kritereve të tjera, këta studentë duhet të jenë nga vende të cilat janë më larg se 25 kilometra nga kryeqyteti.

E shpesh edhe pas kësaj periudhe dyert e njërit prej këtyre konvikteve vazhdojnë të mbesin të hapura edhe gjatë dy javëve të para të korrikut.

Një gjë të tillë e konfirmon NENI 15 në Rregulloren për strehimin e studentëve në konviktet e Qendrës Studentore, sipas të cilit gjatë 15 ditëve të para të korrikut, QS punon me një konvikt, nëse kërkesat nga studentët janë të mjaftueshme.

Mirëpo, kjo gjë nuk ndodhi korrikun e sivjetshëm. Qendra Studentore kishte thënë se kjo gjë ishte “si rrjedhojë e kërkesave shumë të vogla nga ana e studentëve banues”.

Sipa kësaj rregulloreje, e njëjta gjë vlen edhe për afatin e shtatorit.

“Qendra e Studentëve nga një/1/ shtatori punon me recepsion për studentë, varësisht nga kërkesat – numri i të interesuarëve” – thuhet në këtë rregullore.

Sipas QS, dokumentet që u kërkohen studentëve për banim me recepsion për këtë vit janë ID-ja që dëshmon se ata janë student të Universitetit të Prishtinës dhe fletëpagesa për ditët e paguara për banim me Recepcion.

Çmimi i pagesës për banim me recepcion do të jetë 20 euro, kurse këta studentë banues me Recepcion duhet të shpërngulen nga konvikti numër 1 më 23 shtator deri në ora 12:00.