Qendra e Studentëve gjen zgjidhje për shujtat e syfyrit për studentët agjërues

Qendra e Studentëve në Prishtinë ka gjetur një zgjidhje për shujtat e syfyrit për studentët që po agjërojnë.

Sipas njoftimit, studentët që banojnë në konviktet e Qendrës do të kenë mundësinë të marrin nga një shujtë të thatë, të paketuar, për syfyr.

“Sot pas një takimi të drejtorit të QS-së z. Fatmir Sfishta me përfaqsues të Parlamentit Studentor është dakorduar që Mensa e studentëve të shërbejë një shujtë të thatë të paketuar për Syfyr”, thuhet në njoftimin e publikuar dje nga Qendra e Studentëve.

KALLXO.com ka kontaktuar drejtorin e kësaj Qendre, Fatmir Sfishta, i cili ka bërë të ditur se studentët do ta kenë mundësinë që ta marrin këtë shujtë të paketuar në një linjë të veçantë gjatë vaktit të drekës në Mensë, e cila shërbehet nga ora 10:00 deri në 14:30.

Sfishta gjithashtu ka pohuar se një zgjidhje e tillë është praktikuar edhe viteve të kaluara, me përjashtim të dy viteve të fundit për shkak të pandemisë.

I pyetur për ushqimet brenda kësaj shujte, Sfishta ka thënë për KALLXO.com se ajo përmban llojllojshmëri ushqimesh.

“Ka ushqim të konservuar, ka zdenkë, ka pashtetë, ka rriskë gjedhi, ka pemë, lëng, jogurt, ka qumësht, varësisht qysh ndahen…”, theksoi drejtori.

Studentja D.Z. është shprehur se e mirëpret këtë vendim ngaqë për të dalja nga konvikti gjatë orëve të vona të natës për të blerë produkte ushqimore kishte qenë problem për shkak të kohës së papërshtatshme dhe shpenzimeve.

Mirëpo, tashmë D.Z. thotë se një veprim i tillë nuk do të jetë më i nevojshëm falë mundësisë së ofruar nga Qendra Studentore.

“Është një vendim i duhur dhe ka qenë shumë i nevojshëm, duke filluar nga vetë fakti se ne jemi studentë dhe jo të gjithë punojmë apo kemi paga mujore”, ka thënë kjo studente për KALLXO.com.

Një tjetër banore e konviktit që i është gëzuar kësaj zgjidhjeje është F.H., e cila këtë formë të marrjes së ushqimit e sheh si më të lehtë dhe më pak të kushtueshme.

“Është një ndihmesë shumë e madhe për ne si studentë sepse është më përballueshme për ne të marrim bukë nga Mensa sesa ta blejmë vetë duke marrë parasysh edhe ngritjen e çmimeve të produkteve bazike”, thekson kjo studente.

Në fillim të muajit prill Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” kishte njoftuar se QS kishte miratuar kërkesën e tyre që studentët të lejohen që në kohën e syfyrit të dalin nga konviktet.

“Qendra e Studentëve ka aprovuar këtë kërkesë dhe që nga ora 3:40 deri në ora 4:40 studentët do të lejohen të dalin nga konviktet.

Studentët duhet të bartin me vete ID kartelën e cila dëshmon që janë banues në këtë qendër.

Gjithashtu mbyllja e dyerve të konvikteve bëhet në ora 00:00”, ishte thënë në njoftimin e tyre.

Në anën tjetër, gjatë kësaj kohe, kryetari i Këshillit të Studentëve në Fakultetin Filozofik, Eduart Sopaj përmes një postimi në Facebook kishte thënë se ka shprehur shqetësim për studentët që agjërojnë në konvikte.

“Në kohën e syfyrit mensa e studentëve është e mbyllur dhe përgatitja e ushqimit nëpër dhoma është thuajse e pamundur për shkak të kushteve, kurse çmimi i ushqimit jashtë në restorante e fast food-e është mjaft i lartë për kushtet e studentëve”, kishte thënë Sopaj në postimin e tij duke shtuar se kishte kërkuar ndihmë nga një shoqatë humanitare.

“Andaj, kam kërkuar nga shoqata humanitare “Jetimat e Ballkanit” që të na ndihmojë në rastin tonë dhe ata kanë shprehur gatishmërinë për të siguruar ushqim në kohë të syfyrit”, kishte bërë të ditur Sopaj.

Mirëpo, Qendra e Studentëve kishte dalë me një njoftimin përmes të cilit kishte treguar se në bazë të rregulloreve të brendshme të QS-së, nuk lejohet asnjë organizatë apo institucion jashtë kësaj Qendre që të përgatisë dhe servojë ushqime për studentët.

“Duke pas parasysh ndjeshmërinë e përgaditjes dhe servimit të ushqimit, si dhe duke marrë për bazë kontrollimin dhe monitorimin që bëhet nga institucionet e specializuara (AVUK, IKSHPK, etj ) dhe rekomandimet që i marrim nga këto institucione, përgjegjëse për përgatitjen dhe servimin e ushqimit për student është vetëm Mensa e Studentëve”, kishte bërë të ditur Qendra e Studentëve duke njoftuar se në ditët vijuese menaxhmenti i kësaj Qendre do të ndërmarrë hapa për të ofruar një zgjidhje për studentët agjërues në kohën e syfyrit.