Foto: KALLXO.com

Qendra e Regjistrimit Civil në Prizren nuk e zbaton vendimin e Qeverisë për kursim të rrymës

Vendimi i marrë nga Qeveria e Kosovës për masat detyruese për kursim të energjisë në institucione të nivelit qendror, lokal dhe ndërmarrje publike nuk po respektohet nga të gjitha institucionet.

Ndonëse e diel Qendra e Regjistrimit Civil në Prizren i ka dritat e ndezura.

Një qytetar ka dërguar foto ku shihet se kjo Qendër nuk i ka fikur dritat.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 96-të, më 14 shtator, ka marrë vendim për masat detyruese për kursim të energjisë në institucione të nivelit qendror, lokal dhe ndërmarrjet publike.

“Përderisa fokusi ynë është përmirësimi i kapaciteteve gjeneruese vendore për të garantuar siguri energjetike, ulja e konsumit të energjisë në vend është kritike për të përballuar sa më lehtë krizën gjatë muajve të dimrit” – kishte thënë ministrja e Ekonomisë, Arta Rizvanolli, pas vendimit të Qeverisë.

“Bashkërendimi i të gjitha insitucioneve e ndërmarrjeve publike është i domosdoshëm për t’u përballur me situatën e rënduar energjetike e që së bashku të lehtësojmë barrën për secilin qytetar e biznes të vendit. Tejkalimi i krizës botërore të energjisë varet prej secilit prej nesh” – kishte shkruar ajo në Facebook.