Qemajl Aliut dhe drejtorëve komunalë në Shtime iu përmenden punësimet familjare

Në emisionin “Jeta në Komunë”, asamblisti nga Lëvizja për Bashkim, Rexhep Gashi, ka ngritur si problematikë punësimet familjare të pushtetarëve nga Lëvizja Vetëvendosje në Shtime.

Gashi në debat doli me një listë me emra të atyre që ai i cilëson si punësime familjare të bëra nga kryetari Qemajl Aliu edhe nga drejtorët komunalë.

“Një listë të punësimeve që ishin këtu. Me të vërtetë ishte, mos të them qesharake, por këta kanë thënë se të afërmit ‘do t’i thirrim në ahengje shtëpiake’, ndërsa këta i paskan thirrë një numër prej 19, të cilët, të gjithë janë drejtorët e përfshirë dhe kryetari’ – deklaroi Gashi në “Jeta në Komunë”.

Tutje, ai vazhdoi me listimin e personave të cilët pretendoi se u punësuan në institucione nga kryetari Qemajl Aliu dhe drejtorët komunalë.

‘Personi zyrtar Qemajl Aliu, VV kryetar, ka punësuar: Agon Aliun, Bujar Beqën, Erona Beqën, Arbnora Aliun, Mustafë Halilin, Yllka Aliun, Gazmend Aliun. [Këta janë] të punësuar në QKMF, në ujësjellës, në QKMF me Caritas, shofer komunë, subvencione, bursa’ – deklaroi Gashi.

Më pas, ai vazhdoi me listimin e personave të cilët pretendon se u punësuan nga drejtorët komunal.

“Yllka Fejzullahu, Drejtoresha e DKA-së, Erleta Fejzullahu- punësim në DKA, Ilir Fejzullahu- punësim në Komunë, Fatmire Mehmeti- punësim në Komunë, Zejnine Veliu- punësim në DKA dhe është asambliste, Negjipe Hysiqi. Arbenita Frangu-Maliqi është punësim komunal. Bardhyl Rushiti, drejtor i Shërbimeve Publike, ka punësuar Nora Rushitin motër në Entin Special, Burbuqe Rushitin kushërinë- punësim në DKA. Arbona Qorrolli, balldëska e kryesuesit punësim në DKA, Arbenita Ademi kushërira e kryesuesit- punësim në DKA. Drejtori i Administratës, Valon Januzi ka punësuar Drita Januzin kusherinë- punësim në DKA’ – shtoi tutje Gashi.

Këto pretendime të Gashit u kundërshtuan nga pushteti i VV-së në Shtime.

Kryetari Aliu deklaroi se do të sqaroj vetëm pretendimin për punësimin e djalit të vëllait të tij.

‘Është një klauzolë në shëndetësi që e kam apliku nga dita e parë. Pasi kemi mungesë kuadrosh, kemi dalë edhe me kërku mjek të përgjithshëm deri në Pejë. Nipi im, Agon Aliu që është mjek në QKMF-në e Shtimes, për një vit deri sa ka pasë mjekë me licencë nga komuna e Shtimes, edhe pse janë me diploma prapa tij, ai asnjëherë nuk ka apliku. Ka apliku dhe është pranu në konkursin që nuk ka qenë asnjë mjek nga komuna e Shtimes’ – deklaroi Aliu.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Bardhyl Rushiti mohoi se ka ndikuar në punësimin e motrës së tij.

“Është përmend emri i motrës. Ajo punon në Entin Special pa u bërë unë ende drejtor dhe nëse ma gjejnë vetëm një argument më të voglin që unë kam ndiku këtu, unë ju garantoj që jap dorëheqje nga Drejtori i Shërbimeve Publike’ – deklaroi Rushiti.

Asamblistja e VV-së, Zejnije Veliu, që u punësua si mësimdhënëse deklaroi se ajo ka 13 vjet përvojë pune në arsim.

“Nuk e kam pritë qeverisjen Aliu që me ardh dhe me më punësu. Prej vitit 2000 deri në 2007 kam qenë mësimdhënëse e Matematikës, e që për arsye politike më është shkëput kontrata e punës. Nga 2010 deri në 2013 kam qenë mësimdhënëse në Gjimnazin ‘Naim Frashëri’, prap u shkëput kontrata. Tash në vitin 2022 jam punësu prap’ – deklaroi Veliu.

Valon Januzi, drejtor i Administratës në Shtime mohoi ndikime dhe punësime familjare nga ai.

“Një kusherinë e imja është edukatore për më shumë se 7 vite” – tha ai.

Drejtoresha e Arsimit në Shtime, Yllka Fejzullahu, po ashtu mohoi ndikimet politike në punësime.

“U përmendën shumë emra, Arbnora Aliu nuk ka lidhje me kryetarin. Burbuqe Rashiti nuk punon në DKA. FFatmire Mehmeti, një herë u tha që mësimdhënëse, tash në Komunë. Komplet janë dezinformata’ – deklaroi Fejzullahu.