Foto: Facebook/Ramadan Qehaja

Qehaja: Gjendja e jashtëzakonshme s’do të ndalonte përhapjen e virusit

Eksperti i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja, pas paralajmërimit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, u shpreh se një vendim i tillë në momentin aktual të rrezikut nga COVID-19 është i panevojshëm dhe nuk do të ndalonte shpërndarjen e virusit.

Qehaja tregoi se kur duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme dhe kërkoi nga Qeveria të ndërmarrë masa strikte.

“Gjendja e jashtëzakonshme shpallet vetëm atëherë kur ka rrezik imanent nga faktorët e brendshëm dhe të jashtëm ku të gjitha format tjera do të shterreshin dhe rrjedhimisht do të lypsej mobilizimi maksimal fizik i të gjitha resurseve në dispozicion,ku ushtria ka rëndom rol prijës.Rrjedhimisht kam konstatuar dhe vijoj së konstatuari se argumentet për vendosjen e rendit publik (lexo: diciplinimin e popullatës) nëpërmjet hyrjes në fuqi të gjendjes së jashtëzakonshme nuk qëndrojnë. Në vend të saj, Qeveria duhet të mendoj për forma strikte te vendosjes se masave duke ngritur nivelin e inspektimeve e sanksionimeve, gjithmonë duke llogaritur në mbështetjen shtesë të strukturave të rendit,krahas formave tjera vetëdijësuese.”, shkroi ai në Facebook.

Avdullah Hoti zhvilloi dje një konferencë me kryetarët e Komunave për të vlerësuar gjendjen me COVID-19.

Hoti tha se i informoi kryetarët për situatën si dhe i paralajmëroi ata për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nëse vazhdon kjo rritje e numrit të të prekurve me Covid-19./21Media