Qasja e AAK-së për Vetting-un

Në emisionin “Debat Përnime”, gjatë të cilit është shpalosur një pjesë e programit zgjedhor të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), pjesë e diskutimit ishte edhe procesi i Vetting-ut.

Lidhur me këtë çështje, kandidati pë deputet, Besnik Tahiri ka shprehur qëndrimin e AAK-së, përkitazi me atë se çfarë do të bëjnë me këtë proces nëse vinë në pushtet në katër vitet e ardhshme.

Tahiri tha së AAK-ja ka qenë më e zëshmja në trajtimin e këtij procesi, mirëpo sipas tij, në këtë proces nuk duhet te këtë ndasi në baza partiake, apo në baza të tjera.

“Jo që ne nuk jemi për Vettingun. Ne kemi qenë më të zëshmit në trajtimin e Vetting-ut, por jo që Vetting-u të bëhet në zyrat e partive politike, me këqyrë kush është i majtë e kush i djathtë, kush i bardhë e kush i zi. Sistemi i Vetting-ut buron prej raportit të Komisionit të Venecias, i cili nuk ka hyrë në ligjin në Kuvendin e Kosovës”- ka thënë Tahiri.

Procesi i Vetting-ut, sipas tij, nuk duhet të keqpërdoret si mekanizëm dhe duhet të formohet mbi bazën e rekomandimit të Këshillit të Venecias, me qëllim që mos të jetë i ndikuar politikisht.

“Nuk do ta përdorim Veting-un si mekanziëm për të persekutuar njerëz … Një pjesë e Vetting-ut ka ndodhë gjatë përzgjedhjes e tani ne duhet me pa, me modelu procesin me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe me synimet tona, që ajo mos me qenë e ndikuar politikisht” – ka deklaruar Tahiri.

Përfshirja e politikës në emërimin e pozitave të rëndësishme në Këshillin Prokurorial, siç ka thënë ai, pamundëson një proces të tillë. Sipas tij, nuk ka logjikë që partitë politike me kriju një proces siç është Vettingu.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës i ka tri pozita që i emëron Qeveria: drejtorin e Agjencisë Kundër-Korrupsion që është politik, na e votojmë;  2. Ombudspersonin; dhe 3, e ke një person prej një institucioni. Kush me ba Vetting partitë politike a? Nuk ka logjikë ajo”- thotë Tahiri.

Ndërsa, kandidati Arton Demhasaj, po nga radhët e AAK-së ka dhënë një qasje pak më ndryshe nga bashkëpartiaku i tij për çështjen e Vetting-ut. Sipas tij forcimi i mekanizmave të sistemit të drejtësisë përbrenda mund ta bëjë të panevojshme Vetting-un.

 “Nuk jemi apriori kundër Vetting-ut, por nuk e shohim të nevojshëm që të merremi tash me këtë pjesë, për shkak se nëse i forcojmë mekanizmat e brendshëm, ndoshta kjo është  e mjaftueshme dhe ndoshta bëhet i panevojshëm Vettingu” – tha Demhasaj.

Për më shumë kilikoni në link:

Zotimet e AAK-së në “Debat Përnime” për çkapje të sistemit të drejtësisë- VIDEO