Kandidati i PDK-së, Rashit Qalaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Qalaj (PDK): Kthimi i policëve serbë që kanë dhënë dorëheqje me urdhër të Vuçiqit ka mbaruar

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka të njëjtin qëndrim me Lëvizjen Vetëvendosje dhe partitë e tjera opozitare, lidhur me çështjen nëse pjesëtarët e komunitetit serb të cilët kanë dhënë dorëheqje me urdhër të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, duhet të kthehen ose jo në Policinë e Kosovës.

Kandidati për Deputet nga PDK, Rashit Qalaj, rrugën për kthimin e tyre në institucionet e Kosovës e ka quajtur si të mbaruar, pasi sipas tij, ata i kanë pasur të gjitha mundësitë që të jenë pjesë e Policisë së Kosovës.

“Ata i kanë pasur të gjitha mundësitë e botës që të jenë pjesë e Policisë së Kosovës. Kanë pasur edhe një afat prej një muaji, nëse nuk gaboj, që ata të kthehen në institucionin ku kanë punuar. Ata janë larguar me një kërkesë nga një President i një shteti tjetër dhe mendoj që një polic me uniformë kur jep dorëheqje, rruga për kthimin e tij në institucionet e Kosovës ka mbaruar.” – ka thënë Qalaj, në “Debat Përnime”, më 19.01.2025,

Përkundër kësaj, kandidati Qalaj thotë së integrimi i komunitetit serb dhe i komuniteteve të tjera është shumë i rëndësishëm, por kjo do të jetë e mundur vetëm për ata që nuk kanë të kaluar kriminale.

“Qëndrimi i PDK-së është se nuk guxojmë të luajmë me ligjet e vendit dhe Kushtetutën e Kosovës.” – thotë ai.

Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:

Gardë Kombëtare dhe Njësit të Helikopterëve për emergjenca civile: Zotimet e PDK-së për sigurinë dhe mbrojtjen