Kandidati i PDK-së, Rashit Qalaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Qalaj (PDK): Do ta definojmë se nën ombrellën e kujt janë zjarrfikësit

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në kuadër të programit të saj zgjedhor për fushën e sigurisë ka paraqitur disa plane edhe për zjarrfikësit e Kosovës.

Se si do të gjejnë një zgjidhje për këtë kategori, nëse do të qeverisin pas 9 shkurtit, Rashit Qalaj tha në “Debat Përnime”, se qysh në vitin e parë të qeverisjes do ta përcaktojnë se nën ombrellën e kujt janë zjarrfikësit: të Ministrisë të Brendshme apo të komunave.

“Ku është ombrella e zjarrfikësve tanë? A është Ministria e Brendshme apo komunat. Kjo është çështja kryesore që do të rregullohet që në vitin e parë nën qeverisjen e PDK-së?”- tha ai, më 19.01.2025.

Qalaj tha se Kosova nuk ka zjarrfikës të trajnuar dhe me pajisje të duhura për shuarjen e zjarreve në ndërtesat 15-16 katëshe.

Pastaj, sipas tij, është edhe çështja e moshës.

“Mosha e shtyrë- nëse nuk gaboj është 55 vjet. Ata fizikisht nuk janë në gjendje që t’i kryejnë punët ashtu siç duhet”- tha ai.

Ndërsa, për pensionimin e parakohshëm, Qalaj tha se kjo çështje do të rregullohet në mes Ministrisë së Brendshme dhe komponentëve aktualë të nivelit menaxhues të ekipeve të zjarrfikësve dhe po ashtu të sindikatave.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

Gardë Kombëtare dhe Njësit të Helikopterëve për emergjenca civile: Zotimet e PDK-së për sigurinë dhe mbrojtjen