Qalaj: Janë 500 policë me sëmundje të rënda

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës e tash deputet i PDK-së, Rashit Qalaj, ka thënë se janë rreth 500 policë të Kosovës që përballen me sëmundje të rënda siç është kanceri.

Në emisionin ‘Kallxo Përnime’, ku po diskutohet për Policinë e Kosovës, Qalaj tha se Ligji për pensionimin e parakohshëm të policëve është i domosdoshëm.

“Ligji për pensionimin e parakohshëm në mandatin tim ka qenë shumë afër, e kemi pasur përkrahjen të kryeministrit të atëhershëm Ramush Haradinaj. Problemet kanë qenë tek analiza financiare, janë edhe sot sepse kostoja është shumë e madhe”, tha ai.

“Por, janë mbi 500 policë me sëmundje të rënda, prej kancerit e deri te sëmundjet tjera të rënda. Numri prej 500 policë është një rajon policor, bile edhe më shumë. Tash me i pasë 500 policë me sëmundje të rënda, ata janë pengesë gjatë detyrave, për shkak se ndihma e shpejtë duhet përditë me shku me u marrë me ta. Ata i pengojnë edhe të tjerët që janë në detyrë. tha Qalaj.

Tutje, ai ka deklaruar se pensionimi i parakohshëm i policëve asnjëherë nuk ka qenë prioritet i qeverive ndër vite.

“Por edhe me sëmundje të rëndë, edhe me uniformë, edhe me pajisje edhe me moshë është bukur problem. E kam thënë edhe kur ka qenë partia ime në pushtet edhe gjithë, që nuk ka qenë prioritet pensionimi i policëve”, tha Qalaj.