Arkiv - Hashim Thaçi në liqenin e Ujmanit

Qalaj flet për KALLXO.com pasi përmendet në përgjigjen e Prokurorit të Specializuar për garancinë ndaj ish krerëve të UÇK-së

Ish drejtori i Policisë së Kosovës, tani deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj është përmendur në njërën nga përgjigjet e Prokurorit të Specializuar Jack Smith në lidhje me garancinë për lirimin me kusht të ish krerëve të UÇK-së.

“Unë e kam parë përmes mediave që Prokurori i Specializuar ka refuzuar kërkesën për lirimin e liderëve tanë që janë në Hagë dhe në njërën nga pikat përmendet edhe një fotografi e imja si drejtor i Policisë së Kosovës, me Presidentin Thaçi, me ish drejtorin e AKI-së, Maxhunin dhe dy ministria të asaj kohe. Ajo çka mund të them është që një përpjekje e prokurorisë që në një farë mënyre ta refuzoj garancën që e ka dhënë Policia e Kosovës”, tha Qalaj në një bisedë me KALLXO.com.

Ai shtoi se fotografia ka qenë vite më parë dhe në atë kohë Thaçi si president ka realizuar një vizitë në pjesën veriore. Tutje Qalaj arsyetoi pse ishte në atë pjesë së bashku me Thaçin.

“Nëse Presidenti viziton një pikë kufitare policore në atë pjesë gjithsesi Drejtori i Policisë duhet të jetë atje, ne i kemi ofruar siguri që vizita e presidentit të kaloj pa probleme në aspektin e sigurisë në atë pjesë të vendit”, shtoi tutje Qalaj.

Qalaj tregoi se Policia e Kosovës ka kapacitete që të jap garancinë për lirimin me kusht të ish krerëve të UÇK-së.

“Nuk e di se cilat kanë qenë kërkesat e Gjykatës Speciale për garancinë, nuk e di garancinë që ka dhënë policia, por mund të them lirisht si ish drejtor i policisë, se policia ka kapacitete që t’i ofrojë dhe mbështes të gjitha kërkesat e Gjykatës së Hagës”, shtoi tutje Qalaj.

KALLXO.com raportoi se një fotografi e tri viteve më parë, është një arsye më shumë pse Prokurori i Specializuar Jack Smith nuk beson se Policia e Kosovës mund të garantojë në përpikëri lirimin me kusht të tashmë të akuzuarve për krime lufte, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Në të njëjtën fotografi që ka përmendur Prokurori i Specializuar, Jack Smith, shihen, shefi i grupit parlamentar, Abelard Tahiri, ish- drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ish ministri i financave  Bedri Hamza, e edhe ish drejtori i AKI-së, Shpend Maxhuni i cili ishte edhe Drejtor i Policisë para Qalajt.

Të lartpërmendurit shihen në shoqërinë e njëri tjetrit në afërsi të Liqenit të Ujmanit në veri të Kosovës. Të njëjtën fotografi Tahiri e kishte publikuar vite më parë e që sot po përmendet nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Sipas Prokurorit të Specializuar, përgjigja në kërkesat e Dhomave të Specializuara për lirimin me kusht të ish- krerëve të UÇK-së, nga Policia e Kosovës nuk kanë ndonjë ndryshim prej përgjigjeve të mëparshme që ka marrë.

Prokurori i Specializuar konstatoi se lirimi me kush nuk është efektivisht i zbatueshëm duke pasur parasysh siç thekson ai rreziqet që paraqesin ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ish deputeti Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Në arsyetimet e prokurorit të specializuar përmendet raportimi për dy agjentë të AKI-së për të cilët u tha se kanë dhënë dëshmi të sajuara në rastin e njohur si “Syri i Popullit”.

Prokurori i Specializuar Smith, konstatoi se dëshmitarët mund të frikësohen nga lirimi me kusht i të akuzuarve për krime lufte dhe kjo më pas krijon edhe pasiguri te dëshmitarët.

Prokurori i Specializuar Smith, është përgjigjur ndaj garancisë se, Policia e Kosovës nuk ka dhënë ndonjë shembull të vetëm nëse ka zbatuar ndonjëherë kushtet e lirimit të përkohshëm për pozitat e larta që janë të akuzuar për krime ndërkombëtare.

Madje në të njëjtin dokument përmenden edhe pozitat që Veseli, Selimi e Krasniqi kanë pasur ndër vite dhe sa mund të ndikojnë në garancinë e tyre.

Dhomat e Specializuara kanë përmendur edhe integritetin e Policisë së Kosovës, në atë mënyrë sa kanë përmendur se Departamenti i Shtetit ka thënë se ka pasur zyrtarë policorë të arrestuar për korrupsion gjatë vitit, ndërsa ndëshkimi i tyre mbeti problem.

Tutje në çështje të tjera, Dhomat e Specializuara kanë theksuar se Policia e Kosovës kanë premtuar të liruarit me kusht do të monitoroheshin 24/7.

Por tutje sipas prokurorit Smith, Policia e Kosovës janë treguar të paqartë se numri i zyrtarëve policorë të përfshirë do të jetë i përcaktuar në bazë të nevojave.

“Por, si më parë, e vetmja marrëveshje specifike e propozuar nga PK është një polic i vetëm i caktuar në derën e vendbanimit të të akuzuarit. Ky personel është qartazi i pamjaftueshëm për arrest shtëpiak të atyre personave që janë me ndikim në Kosovë. Disponueshmëria hipotetike e oficerëve shtesë për të patrulluar jashtë rezidencës nuk bën asgjë për të ndryshuar realitetin se aktivitetet brenda vendbanimi nuk monitorohet siç duhet”, thuhet në njërën nga përgjigjet e prokurorit Smith ndaj garancisë së ofruar nga Policia e Kosovës.

Edhe të çështja e trajnimit të zyrtarëve policorë, sipas prokurorit Smith, PK-ja nuk jep asnjë shpjegim për trajnime, ndërsa mbështetet në përgjithësime të PK-së në lidhje me profesionalizmin.

“Nuk është e mundur të ndahen informatat e dëshmitarëve të PSP-së me PK-në, sepse nëse veprohet kështu do të komprometonte masat mbrojtëse të urdhëruara më parë nga gjyqtari i procedurës paraprake në këtë rast”, thuhet tutje në përgjigje.

Aty përmendet se figura të shquara të Policisë së Kosovës kanë lidhje me UÇK-në.

Sipas Dhomave të Specializuara rasti i lirimit të të akuzuarve për krime lufte nuk është rast për të eksperimentuar Policia e Kosovës.

“Nuk ka kushte të cilat mund të zbusin rreziqet që ato paraqesin nëse lirohen dhe përgjigja e Policisë së Kosovës e përforcon këtë përfundim”, thuhet në fund të kësaj përgjigje të Prokurorit të Specializuar Jack Smith ndaj garancisë së Policisë për ish krerët e UÇK-së.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar me 6 akuza për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Sipas aktakzuës këto krime thuhet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë si  në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleçkë, Kukës dhe Rahovec.

Për këtë aktakuzë ish krerët e UÇK-së, Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi gjenden në paraburgim tash e një vit.

Shkak për mosfillimin e gjykimit ndonëse është konfirmuar aktakuza është kërkesa e prokurorisë për zgjatjen e afateve për dorëzimin e shkresave penale.

Mosdorëzimi i provave nga Zyra e Prokurorisë së Specializaur e ka ngrirë procesin në fazën e procedurës paraprake, kjo pasi  prokuroria nuk ka dorëzuar të gjitha provat me të cilat i ngarkon ish krerët e UÇK-së për krime lufte.

Prokuroria Speciale ka kërkuar zgjatje të afatit deri më 31 janar 2021 për dorëzimin e 3 pakove me prova.

Thaçit, Veseli, Selimi dhe Krasniqi fillimin e gjykimit po e presin të paraburgosur në Qendrat e Paraburgimit në Hagë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte njoftuar Gjykatën Speciale më 23 korrik për hetimin penal ndaj katër krerëve të UÇK-së.

Katër muaj më pas në Gjykatën Speciale u dorëzua aktakuza e rishikuar e cila rëndonte mbi Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin, për vrasje, torturë, abuzim, ndalim të disa personave shqiptarë në zonat e Kosovës si në Likoc, Jabllanicë, Llapushnikë, Drenoc, Malishëve, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleçkë, Kukës dhe Rahovec.

Mbi ta rëndon edhe akuza për vrasjen e 11 civilëve serbë në Malishevë.