Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PZAP vendos rinumërimin e katër vendvotimeve pas ankesës së kandidates për asamble në Pejë

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë vendim që të rinumërohen të gjitha fletëvotimet e kandidatëve për Kuvend Komunal në Pejë nga subjekti AAK në katër vendvotime.

Ky vendim vjen pas ankesës së kandidates Hidajete Krasniqi, e cila ka pretenduar se nuk janë përfshirë në numërim e votave nga diaspora pesë fletëvotime.

Në arsyetimin e ankesës të PZAP thuhet se në ankesën e Hidajete Krasniqi theksohet se nuk janë përfshirë në numërim pesë vota nga Zvicra të dërguara me post me datën 08.10.2021. Parashtruesja e apelit po ashtu thekson se votat e AAK-së nga vendvotimet 1723C/07R nuk janë paraqitur ku si parti ka fituar 63 vota e të dhënat janë vetëm për katër kandidate e për të tjerat jo.

Krasniqi si dëshmi i ka bashkangjitur Formularët e Rezultateve dhe emrat, dokumentet dhe fletëvotimet e disa personave për të cilët pretendon se kanë votuar për të.

PZAP-ja e ka cilësuar si të bazuar ankesën e kandidates së AAK-së për Kuvend Komunal në Pejë.

Paneli pas shqyrtimit të provave nga hapja e kutisë së votimit 1723C/07R rezulton se kandidatja i ka tri vota të vlefshme ndërsa në Formularin e Rezultateve nuk e ka asnjë votë, po ashtu përmes postës rezulton që i ka fituar 5 vota në total.

Përmes këtij vendimi KQZ urdhërohet të numëroj vendvotimet: 1723C/07R, BM217/001, BM 217/002, BM 217/003.

Këtu mund ta gjeni vendimin e plotë.