Zgjedhjet | Foto: Atdhe Mulla

PZAP vendos, do të rinumërohen të gjitha votat për asamblistë në Podujevë

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë vendim për rinumërimin e të gjitha fletëvotimeve për kandidatët për asamblistë të Kuvendit Komunal të Podujevës.

Këtë e ka bërë të ditur Xhevdet Maloku, kandidat për asamble në Komunën e Podujevës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Në rrjetin social “Facebook”, Maloku e ka bashkangjitur edhe vendimin e Panelit, ndonëse ende ky vendim nuk është publikuar në faqen zyrtare të PZAP-së.

“Urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të rinumërojë të gjitha fletëvotimet për kandidatët për Kuvend Komunal në Podujevë, nga të gjitha subjektet politike”, thuhet ndër të tjera në vendimin e PZAP-së.

Më 3 nëntor, KQZ ka publikuar rezultatet për kuvende komunale nga zgjedhjet lokale të mbajtura më 17 tetor.

Ndaj këtyre rezultateve, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) njoftoi këtë të diele, se ka pranuar 352 ankesa të paraqitura nga kandidatët për anëtarë të kuvendeve komunale kundër vendimit të KQZ-së.

Në Podujevë garojnë Ekrem Hyseni i LDK-së, i cili në raundin e parë mori 44.20%  dhe Shpejtim Bulliqi i LVV-së me 44.16%. Rundi i dytë do të mbahet më 14 nëntor.

Ky është vendimi i PZAP-së të cilën e ka publikuar Xhevdet Maloku: