Braathu në Pzap | Foto: KALLXO.com

PZAP sot pritet të vendos për ankesat e partive politike

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) pritet gjatë ditës së sotme t’i bëjë të ditura vendimet në lidhje me ankesat e partive politike për zgjedhjet nacionale të 6 tetorit, përfshirë edhe atë të Nismës Socialdemokrate për të mos pranuar pakot e ardhura nga Serbia.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur rezultatet përfundimtare të enjten e kaluar, pas së cilës partitë politike kanë pasur 24 orë afat, përkatësisht deri të premten, që t’i dorëzojnë ankesat e tyre në PZAP.

Paneli Zgjedhor ka pasur kohë 72 orë që t’u japë përgjigje palëve të ankuara, afat ky që përfundon gjatë ditës së sotme.

Ky institucion bëri të ditur se deri në ora 10.50 të datës 8 nëntor, ka pranuar 100 ankesa nga subjektet politike dhe kandidatë të ndryshëm për deputetë, prej të cilave më së shumti ka pasur nga partia e Sllobodan Petroviqit, SLS, me 42, pasuar nga LDK me 23, PDK 12, NISMA-AKR-PD 6, Lëvizja Vetëvendosje 5 ankesa dhe 9 ankesa nga partitë minoritare.

Nga kandidatët për deputetë të cilët janë ankuar në PZAP, janë Valon Ramadani nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Mufera Shinik nga KDTP-ja.

Pas pranimit të vendimit nga PZAP-ja, subjektet politike që janë sërish të pakënaqura, kanë të drejtë të paraqitjes së ankesave në Gjykatë Supreme, brenda 24 orëve, pastaj ka kohë 72 orë për të vendosur.

Pas kësaj procedure, ankesë mund të paraqitet edhe në Gjykatë Kushtetuese, së cilës koalicioni NISMA-AKR-PD, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet për shkak të pakove të votimit nga Serbia.

Kushtetuesja ka kohë deri në katër muaj që të trajtojë ankesat eventuale nga subjektet politike.

KQZ më herët ka deklaruar se është në pritje të vendimeve të PZAP-it dhe Gjykatës Supreme, dhe se do të veprojë në përputhje me vendimet e tyre. Pas kësaj procedure, KQZ duhet t’i respektojë vendimet e këtyre dy institucioneve dhe të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve, data e saktë e së cilës ende nuk dihet.

Sipas rezultateve përfundimtare të publikuara nga ana e KQZ-së, fituese e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje, para LDK-së dhe PDK-së, derisa koalicioni AAK-PSD renditet në vendin e katërt.

Rezultatet janë kontestuar nga Nisma Socialdemokrate, e cila i ka quajtur ato të fabrikuara pasi që janë numëruar edhe votat nga Serbia. Kjo parti, e cila në zgjedhje ishte në koalicion me AKR-në dhe PD-në, sipas rezultateve të KQZ-së, ka mbetur jashtë Kuvendit duke marrë 4.984% të votave, shkruan RTK.