PZAP shqipton mbi 216 mijë euro gjoba për partitë politike

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka njoftuar se ka shqiptuar gjoba në vlerë të përgjithshme prej 216,350 euro për partitë politike.

Gjobat janë shqiptuar për shkak të mosrespektimit të Kodit të Mirësjelljes, nga ana e subjekteve politike, mbështetësve dhe përkrahësve të tyre, gjatë fushatës së zgjedhjeve dhe thyerjen e heshtjes zgjedhore në ditën e heshtjes zgjedhore si dhe në ditën e zgjedhjeve.

Subjekteve politike u janë shqiptuar gjoba janë:

– PDK-së i janë shqiptuar gjoba në shumë prej 66,100 euro

– AAK-së i janë shqiptuar gjoba në shumë prej 52,750 euro

– LVV-së i janë shqiptuar gjoba në shumë prej 44,700 euro

– LDK-së i janë shqiptuar gjoba në shumë prej 28,600 euro

– NISMA-as i janë shqiptuar gjoba në shumë prej 22,000 euro

– Lista Srpskas i janë shqiptuar gjoba në shumë prej 2,200 euro

Gjithashtu, PZAP ndaj subjekteve politike ka shqiptuar gjoba në shumën totale prej 1 mijë e 200 euro për shkak të mosrespektimit të Kodit të Mirësjelljes, specifikisht shpërndarja e SMS-ve tek qytetaret si thirrje për të votuar subjektin e caktuar politik.

Në këtë rast PDK dhe LDK të dyja janë dënuar me nga 600 euro.

PZAP në seancat të cilat i ka mbajtur sot, ka shqyrtuar dhe vendosur 10 ankesa lidhur me thyerjen e heshtjes zgjedhore dhe ditën e zgjedhjeve.

Ankesat janë paraqitur nga individë, subjekte politike, kandidatë për deputet, organizata, anëtarë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, etj.

Prej 10 ankesave të shqyrtuara, Paneli ka vendosur që t’i pranojë si të bazuara 2 ankesa, 1 ankesë e ka refuzuar si të pabazuar, 2 ankesa i ka hedhur si të palejuara, 5 ankesa i ka hedhur si të pasafatshme.

“Në fund ju informojmë se Paneli sot ka shqyrtuar dhe vendosur të gjitha ankesat dhe apelet e paraqitura nga individ, subjekte politike, kandidatë për deputet, organizata, anëtarë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, anëtarë të Këshillave të vendvotimeve, qytetarë, vëzhgues, etj”, thuhet në njoftimin e PZAP-së.

Dje, KALLXO.com ka raportuar se PZAP ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 121 mijë euro për partitë politike për thyerje të heshtjes zgjedhore, në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.

PZAP shqipton 121 mijë euro gjobë për partitë politike