PZAP shqipton 121 mijë euro gjobë për partitë politike

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka njoftuar se ka shqiptuar 117 ankesa në vlerë rreth 121 mijë euro për shkak të thyerjes së heshtjes zgjedhore përfshirë edhe ditën e zgjedhjeve nga partitë politike.

“Thyerja e heshtjes zgjedhore gjatë ditës së votimit – për të votuar subjektin e caktuar politik, thirrja për të votuar disa kandidatë, shpërndarja apo postimi i disa fotografive me aktivitet elektoral në rrjete sociale si facebook, bërja e fushatës me veturë 100 metra afër qendrës së votimit, shpërndarja e SMS për votim tek qytetarët, vendosja e banerëve dhe posterëve në afërsi apo brenda shkollës, vendosja e posterëve të kandidatëve në oborrin e Qendrës së Votimit”, janë disa nga arsyet sipas PZAP të dënimit të partive politike.

Partia Demokratike e Kosovës është dënuar me 42 mijë e 500 euro ndërsa Lëvizja Vetëvendosje në vlerë prej 37 mijë e 500 euro.

PZAP, tutje ka njoftuar se LDK-së i është shqiptuar gjobë prej 22 mijë euro, AAK-së 16 mijë e 250 euro, Nisma-së gjobë në vlerë prej 2 mijë euro dhe Listës Serbe 1 mijë euro gjobë.

“Ankesat janë paraqitur nga individ, subjekte politike, kandidatë për deputet, organizata, anëtarë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, anëtarë të Këshillave të vendvotimeve, qytetarë, vëzhgues, etj Në fund ju informojmë se janë edhe 10 ankesa të cilat ende nuk janë vendosur për arsye procedurale dhe për të njëjtat do të merret vendim ditën e enjte 18 shkurt 2021”, thuhet në njoftimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.