PZAP reagon ndaj Ministrit të Financave që refuzoi kërkesën për buxhet shtesë

Qeveria e Kosovës ka vendosur që dje në mbledhje që Panelit Zgjedhor për Parashtresa dhe Ankesa PAZP, të mos ia miratojë kërkesën për ndarjen e 18 mijë e 618 eurove për paga dhe mëditje për zgjedhjet e 15 marsit në Komunën e Podujevës.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi i konsideroi ‘skandaloze’ kërkesat e PZAP dhe KQZ –së për buxhet prej 510 mijë eurove për zgjedhjet në Podujevë.

Mulë Desku kryetar i sekretariatit në PZAP, ka thënë për KALLXO.com se është befasuar nga kjo deklaratë e ministrit Bislimi, duke theksuar se kërkesa ka qenë shumë profesionale, ndërsa ‘skandaloz’ e ka quajtur deklaratën e ministrit.

“Ne PZAP jemi befasuar me deklaratën e pamatur të Ministrit te Financave dhe kualifikimin e tij personal se kërkesa për buxhet shtesë në shumë prej 60% të pagës bazë e KQZ-së ku edhe PZAP-i është i përfshirë në atë kualifikim, është skandaloze dhe jo profesionale”, ka thënë ai.

Desku për KALLXO.com ka theksuar se PZAP-i, nuk ka marrë akoma përgjigje me shkrim nga Ministria e Financave për mos aprovimin e kërkesës së tyre.

Desku tutje ka thënë që është duke i shqyrtuar mundësitë ligjore për paraqitjen e një kërkesë të re.

“Do të komunikoj me Ministrinë e Financave për të marrë ndonjë informacion shtesë për të parë ndonjë mundësi alternative ligjore për paraqitjen e kërkesës se re për buxhet shtesë”, ka thënë ai.

Desku ka theksuar se kërkesa e tyre ka qenë ligjore dhe jo zhvatëse ashtu siç e ka konsideruar ministri Bislimi.

“PZAP- as nuk ka qenë, nuk është e as nuk do të jetë zhvatës i buxhetit të Republikës e Kosovës. Këtë më së miri  e vërteton Raporti i Zyrës Kombëtare te Auditorit me rastin e auditimit te Pasqyrave Vjetore Financiare të vitit 2018 ku ne këtë raport nuk është identifikuar as një gjetje dhe nuk është dhënë asnjë rekomandim për PZAP-i”, ka thënë tutje ai.

Sipas kryetarit të sekretariatit të PZAP ‘rritja e mirëbesimit ndërinstitucional dhe besimit të publikut në institucione nuk bëhet duke i sulmuar ato, por duke bashkëpunuar në përputhje me të gjitha ligjet dhe rregullat e zbatueshme ne Republikën e Kosovës’.

Desku ka arsyetuar kërkesën për kompensim prej 60 përqind nga paga bazë në muaj.

“Zyrtarët e sekretariatit të PZAP-i gjatë një procesi zgjedhor për një muaj arrijnë dhe janë të obliguar te punojnë deri në 80 orë e më shumë jashtë orarit të punës. Andaj duke u nisur nga këto të dhëna PZAP-i ka paraqitur kërkesën për kompensime shtesë 60% nga paga bazë në muaj.  Afatet janë në orë dhe në ditët kalendarike dhe jo në ditë pune”, ka thënë Desku.

Desku tutje ka thënë që PZAP ka një staf shumë të vogël për punët që ka në kohë zgjedhjesh, prandaj sipas tij edhe me pagesë shtese është e vështirë për zyrtaret e sekretariatit qe të përballojnë  kryerjen e te gjitha këtyre aktiviteteve për kohë të shkurtër.

“PZAP-i ka numër të vogël te zyrtareve dhe për një proces zgjedhor të gjithë duhet të angazhohen me orë shtesë për çdo ditë sepse te gjithë i kanë detyrat e specifikuara me përshkrimet e vendeve të punës. Nuk ka mundësi të organizimit të punëve në atë mënyrë për mos e kaluar limitin ligjor të orëve jashtë orarit të punës deri në 40 orë në muaj sipas ligjit, sepse puna nuk pret”, tha ai.

Edhe në mbledhjen e sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i konsideroi ofenduese deklaratat e ministrit Bislimi.

Anëtari i LDK-së në Komision Sami Hamiti tha që ministri duhet të kërkoj falje, ndërsa anëtari i LVV-së Sami Kurteshi tha që ‘nuk e ka dëgjuar deklaratën’ e bashkpartiakut përderisa theksoi nevojën që ministri të ftohet në takim.

Dje, në mbledhjen e Qeverisë, është diskutuar për kërkesën që KQZ e kishte bërë në Qeveri për 510 mijë euro për organizimin e zgjedhjeve në Komunën e Podujevës.

Por, ministri i Financave dhe Transfere, Besnik Bislimi që vjen nga Vetëvendosje, këtë kërkesë e ka quajtur “skandaloze”.

Bislimi tha se “autonomia e KQZ-së nuk duhet të tregohet në zhvatjen e buxhetit dhe për t’i pasuruar anëtarët e KQZ-së”.

“Duhet të tregohet që paraja publike nuk duhet të shpenzohet si plaçkë publike, duhet të refuzohet kërkesa e PZAP për mëditje, ndërsa e KQZ-së duke të aprovohet vetëm ajo për mallra dhe shërbime dhe jo për paga dhe mëditje”, tha ai.