Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PZAP: Partia FJALA nuk ka dorëzuar ankesë

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) nuk ka pranuar ankesë nga partia FJALA për pretendimet e kësaj të fundit se po u mungojnë votat që i kanë siguruar më 14 shkurt.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, Mulë Desku, kryesues i sekretariatit të PZAP-së.

“Përkitazi me pyetjen tuaj, se a kemi pranuar ankesë nga partia Fjala, lidhur me mungesën e votave ndaj kësaj partie, siç edhe po pretendojnë ata, ju informojmë se kjo parti nuk ka dorëzuar ankesë ne PZAP”, thuhet në përgjigjen e tij për KALLXO.com.

Partia FJALA po pretendon që votat të cilat ka arritur t’i sigurojë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit nuk i janë procesuar në web-faqen e KQZ-së, ndonëse sipas tyre të njëjtat figurojnë në formularin e komisionerëve të KQZ-së.

Kryetari i kësaj partie, Gëzim Kelmendi, ka thënë për KALLXO.com se dyshimet i ka vërejtur asamblisti i tyre në Skenderaj, pasi ata nuk kanë pasur komisionerë në vendvotime.

“Ajo çka është shqetësuese për neve është që votat të cilat figurojnë në formularin e komisionerëve të KQZ-së, të njëjtat vota nuk figurojnë në web-faqe të KQZ-së. Në vendvotimin në fshatin Rakinicë të Skenderajt 2129/b, figurojnë 24 vota të Fjalës të nënshkruara nga komisionerët por ato nuk figurojnë në web-faqe të KQZ-së, përkundrazi shkruan 0 vota”, ka thënë ai.

Kelmendi tutje ka thënë se sot kanë dorëzuar ankesë në PZAP dhe se ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.

Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në KQZ dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.

Partia FJALA pretendon që nuk i janë procesuar votat e siguruara më 14 shkurt