PZAP paralajmëron partitë politike, thërret për respektimin e rregullave gjatë fushatës

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa para fushatës zgjedhore e cila nis nga ditë e nesërme, ka mbajtur një konferencë për media ku ka shpalosur rregullat të cilat duhet t`u përmbahen subjektet politike në garë.

Në konferencë është bërë e ditur se gjatë kësaj fushate subjektet politike dhe mbështetësit e tyre mund të organizojnë çfarëdo tubimi ose fjalimi politik, por subjektet politike janë të obliguara të respektojnë kodin e mirësjelljes për subjekte politike.

Kjo kornizë ligjore sipas zyrtarëve të PZAP-së vendos rregullat bazë për të drejtat për fushatë zgjedhore, por edhe çka mund të përdoret si material i fushatës, vendet e lejuara dhe të ndaluara për fushatë, kohën dhe vendin ku do të dërgohet njoftimi për mbajtjen e tubimit politik.

“PZAP në bazë të nenit 120 paragrafi c të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme për mosrespektim të legjislacionit në fuqi mund të vendos gjoba ndaj subjekteve politike në vlerë deri 50,000.00 euro”, deklaroi Gyltene Sylejmani nga PZAP.

Poashtu Sylejmani theksoi se përdorimi të miturve nën moshën 18 vjet për qëllime elektorale është i ndaluar.

Deri më tani PZAP ka pranuar 83 ankesa, 78 prej tyre janë apele, ndërsa 5 janë ankesa.

PZAP poashtu ka miratuar vendimin për zgjatjen e orarit të punës për shërbyesit civil të PZAP-së prej ditës së shpalljes së zgjedhjeve deri 15 ditë pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.

Zgjatja e orarit të punës përfshinë ditët e rregullta të punës poashtu edhe ditët e vikendeve dhe festave publike.

Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbajtura në vitin 2017 PZAP kishte shqiptuar gjoba ndaj subjekteve politike për shkelje të kodit të mirësjelljes, mbështetësve të tyre në vlerë 348,900.00 euro.