PZAP nuk mori asnjë ankesë për procesin zgjedhor në Mitrovicën e veriut dhe Podujevë

 

Asnjë ankesë nuk është dërguar në Panelin Zgjedhor të Ankesave dhe Parashtresave gjatë ditës së sotme edhe pas mbylljes së vendvotimeve në komuat Mitrovicë e Veriut dhe Podujevë.

Kështu ka thënë për KALLXO.com kryetari i Sekretariatit të PZAP-së, Mulë Desku.

“Jo asnjë ankesë nuk kemi pranuar”, tha shkurt Desku për KALLXO.com.

Në anën tjetër KALLXO.com raportoi se LVV dega në Mitrovicën e Veriut kishte deklaruar në një postim në Facebook se kishte dërguar ankesë për Goran Rakiq pasi që i njëjti ka thyer heshtjen zgjedhore duke kërkuar nga qytetarët e Mitrovicës së Veriut të votojnë kandidatin e Listës Serbe Milan Radojeviq.

Këtë e kishte mohuar gjatë ditës së sotme edhe PZAP e cila kishte thënë se nuk ka pranuar asnjë ankesë të vetme në lidhje me procesin zgjedhor qe është mbajtur sot në dy komunat, atë të Mitrovicës Veriore dhe Komunës së Podujevës.