Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PZAP ka pranuar 46 ankesa për ditë e zgjedhjeve

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka njoftuar se brenda 24 orëve të para pas mbylljes së procesit të votimit, ka pranuar 46 ankesa, me pretendimet se ka pasur parregullsi në zgjedhjet e 17 tetorit.

Përmes një njoftimi PZAP ka bërë të ditur se ankesat janë bërë nga subjekte të ndryshme.

“Ankesat janë paraqitur nga individ, subjekte politike, kandidatë për anëtar të Kuvendeve Komunale, të cilat do të shqyrtohen dhe vendosen nga PZAP-i brenda afatit ligjor prej 72 orëve”, thuhet në njoftim.

Sipas PZAP-së, natyra e ankesave është e ndryshme duke filluar nga thyerja e heshtjes zgjedhore e deri tek parregullsitë në vendvotime.

“Thyerje e heshtjes zgjedhore – thirrje për të votuar nëpërmjet postimit të fotos së fëmijëve në rrjete sociale – Instagram, nuk i është mundësuar votimi në VV, ankesa për shkak të mungesës së votave, parregullsi në vendvotime, parregullsi gjatë numërimit të votave nga ana e KVV-ve, grumbullimi i njerëzve si presion ndaj votuesve për të votuar subjektin e caktuar politik, fletëvotime te pavulosura”, thuhet në njoftim.

Në Kosovë zgjedhjet lokale janë mbajtur të dielën më 17 tetor.

PZAP është organ kompetent për të vendosur në lidhje me ankesat dhe apelet që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor.