Ilustrim

PZAP-ja, sot publikon vendimet përfundimtare lidhur me ankesat e subjekteve politike

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ka njoftuar se brenda afatit ligjor prej 72 orëve do të vendos lidhur me apelet e paraqitura nga kandidatet për deputet të subjekteve politike, kundër vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvend të Kosovës të mbajtura me datën 14 shkurt 2021.

“PZAP-i për përfundimin e vendimmarrjes meritore lidhur me këto apele sot rreth orës 13:00 do ti njoftoj mediat dhe opinionin publik përmes një njoftimi i cili do të publikohet në faqen zyrtare dhe facebook të PZAP-it”, thuhet në njoftim.

Sipas këtij njoftimi kandidatet të cilët kanë apeluar vendimet e KQZ-së në PZAP do të njoftohen me kohë me vendime lidhur me apelet e parashtruara dhe kundër vendimeve të PZAP-it mund të paraqesin ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës brenda afatit ligjor prej 24 orëve nga momenti i njoftimit te tyre me vendime.

Ndërsa Gjykata Supreme e Kosovës sipas PZAP-së  ka për obligim që të marrë vendime lidhur me ankesat brenda afatit ligjor prej 72 orëve nga momenti i paraqitjes së tyre në Gjykatë.

“Vendimet e Gjykatës Supreme të Kosovës janë përfundimtare”, thuhet në njoftimin e PZAP-së.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte njoftuar se brenda afatit 24 orë, ishin paraqitur 208 apele kundër rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.

PZAP-ja pranon 208 ankesa, kundër rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve