PZAP-ja gjobit me 9,600 euro koalicionin AAK-PSD

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka gjobitur me 9 mijë e 600 euro koalicionin AAK-PSD.

Ky dënim është shqiptuar pas ankesave të organizatave BIRN/Internews Kosova dhe KDI-së, ku me datën 30 shtator, është publikuar spoti publicitar i këtij koalicioni, në të cilin janë përdorur resurset shtetërore. Përkatësisht, nga sekonda 18 deri në 21 të këtij spoti, shihen zjarrfikësit dhe automjetet e tyre, të cilët janë përdorur për fushatë.

Gjithashtu në ankesën e BIRN/Internews Kosova theksohet se me datën 2 tetor, kandidati për kryeministër nga ky koalicion, Ramush Haradinaj, ka shpërndarë një video në të cilën ka përfshirë gjithashtu pamje të pjesëtarëve të zjarrfiksëve.

Sipas ankesës, në këtë rast ëshë shkelur Rregullorja Zgjedhore.

Në përgjigjen për ankesën, koalicioni AAK-PSD arsyetohet se spoti është xhiruar nga aktorë e jo nga zjarrfikës, ku sipas tyre shihet qartë që bëjnë spot.

PZAP-ja ankesën e organizatave e ka cilësuar të bazuar dhe AAK-PSD kanë afat prej 15 ditëve që ta paguajnë gjobën.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) deri më tani ka shqiptuar 154.450 euro gjoba ndaj subjekteve politike për shkak të shkeljeve që kanë bërë gjatë fushatës zgjedhore.

Gjatë kësaj periudhe, BIRN/Internews Kosova kanë dërguar një varg ankesash në PZAP të cilat kanë rezultuar me gjoba ndaj subjekteve në vlerë prej 70,700 euro.

Mbi 150 mijë euro gjoba nga PZAP, prijnë PDK e LDK

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) me 27 shtator e kishte me  pranuar  ankesën e BIRN, Internews Kosova dhe Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), duke dënuar me 30 mijë euro gjobë Listën Serbe për shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike.

Pas ankesave të BIRN dhe Internews Kosova, Paneli për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) me 27 shtator kishte  dënuar me 11 mijë e 100 euro gjobë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Koalicioni AAK-PSD ishin të gjobiturit  e radhës me 27 shtator nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Gjoba prej 6 mijë eurove ka të bëjë pas ankesës së BIRN dhe Internews Kosova, ku me datën 26 shtator në afërsi të shkollës fillore ‘Mihal Grameno’ në Fushë-Kosovë, është parë i vendosur një poster i madh i kandidatit për kryeministër nga ky koalicion, Ramush Haradinajt.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka  gjobitur më 27 shtator me 2 mijë e 500 euro Nismën Socialdemokrate pas një ankese nga BIRN dhe Internews Kosova. Ankesa ka të bëjë me një postim të kandidatit për deputet nga kjo parti, Endrit Shala, i cili në rrjetin social ‘Facebook’ ka publikuar një fotografi nga një tubim zgjedhor, ku shihet së bashku me një fëmijë të mitur, i cili mban të veshur një bluzë që bën thirrje për ta votuar kandidatin nga Nisma.

Pas gjobës prej 6 mijë eurove që ia dha të premten, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) më 30 shtator ka dënuar edhe me 9 mijë e 500 euro të tjerë koalicionin AAK-PSD. Dënimi ka të bëjë me shkelje të rregullës zgjedhore ‘Fushata e Zgjedhjeve dhe Njoftimi për Ngjarjet Politike’, ku koalicioni AAK-PSD ka përdorur zyrtarët policorë në fushatë zgjedhore.

Koalicioni AAK-PSD me 2 tetor është dënuar për herë të tretë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Kësaj here AAK-PSD janë dënuar me 2 mijë e 600 euro, për shkak të një postimi në rrjetin social ‘Facebook’ të kandidates Donika Kadaj-Bujupi, ku nga një tubim zgjedhor ka publikuar fotografi me disa fëmijë me logo të koalicionit AAK-PSD.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) me 2 tetor  ka dënuar  me 9 mijë euro PDK-në në dy vendime të ndara. Dënimi i parë prej 6 mijë e 300 eurove ka të bëjë me Blerand Stavilecin, i cili më 30 shtator në profilin e tij në Facebook ka publikuar një fotografi me fëmijët e tij, të cilët mbajnë veshur bluza me numrin zyrtar të PDK-së.

Ndërsa dënimi tjetër prej 2 mijë e 300 euro ka të bëjë me kandidatin për kryeministër, Kadri Veseli, i cili më 30 shtator, gjatë një tubimi në Lipjan, është parë me një vajzë të mitur duke marrë dhuratë një tufë me lule, të cilën më pas Veseli e ka marrë në skenë dhe e ka mbajtur në krahë.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ditë më parë dënoi me nga 6 mijë euro LDK-në dhe koalicionin AAK-PSD, pasi këto subjekte politike kishin vendosur posterë të kandidatëve të tyre për kryeministër afër shkollës fillore ‘Mihal Grameno’ në Fushë-Kosovë.

Në vendin e njëjtë për të cilën subjektet e Ramush Haradinajt dhe Vjosa Osmanit ishin dënuar, është parë  edhe posteri i Kadri Veselit, kryetarit të PDK-së dhe kandidat i kësaj partie për kryeministër.

Mirëpo për posterin e Veselit, paneli i përbërë nga gjyqtarët Afijete Gllogjani, Faton Ademi e Adnan Konushevci ka vlerësuar se ankesa e parashtruar nga BIRN dhe Internews Kosova nuk përbënte shkelje të dispozitave ligjore.