Mërgim Lushtaku përballë qendrës së votimit në fshatin Kllodernicë, Foto: KALLXO.com

PZAP hedh poshtë ankesën e Bekim Jasharit ku përmendet edhe Mërgim Lushtaku

Gjatë procesit zgjedhor më 17 tetor, ekipi i KALLXO.com raportoi se në afërsi të qendrës së votimit në fshatin Kllodernicë të Skenderajt, është parë deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

Ankesë kishte parashtruar edhe subjekti i Bekim Jasharit në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Në ankesën e tyre thuhet se në Likovc, Vojnik, Kllodërnicë, Llaushë, Makërmal dhe Tërrnac gjatë tërë procesit zgjedhor janë parë qytetarë të grumbulluar para shkollave “të cilët kanë bërë presion që të votojnë PDK-në”. Si dëshmi kanë bashkangjitur edhe fotografi ku shihet edhe deputeti Mërgim Lushtaku. Po ashtu, ata kanë kërkuar rivotim.

Mirëpo, ankesa sipas vendimit të PZAP-së është konsideruar e pabazuar. Aryestimi është se pretendimet e subjektit të Bekim Jasharit janë të paqëndrueshme dhe “si të tila i refuzoi pasi që nga fotografitë nuk shihet ndonjë llogo, shenjë e subjektit të PDK”.

Gjithashtu paneli ka vlerësuar se ankesa nga lista e pavarur e Bekim Jashari nuk është bazuar në dëshmi të qarta dhe bindëse.

Kundër këtij vendimi është e lejuar ankesa në Gjykatën Supreme brenda 24 orëve nga momenti i marrjes-pranimit të vendimit.

Të gjitha vendimet e PZAP-it mund t’i lexoni në këtë LINK

Në anën tjetër, KALLXO.com ka raportuar të dielen se Mergim Lushtaku, për prezencen e tij ishte arsyetuar se kishte marrë informacione se disa qytetarë janë kërcënuar dhe se ka shkuar aty për të ofruar siguri.

Në zgjedhjet e 17 tetorit, Partia Demokratike e Kosovës, Fadil Nura, mori 57,99 për qind kurse Bekim Jashari nga lista e pavarur “Ideal për Skenderaj” ka marrë 40,64 për qind të votave.

Dyshime të mëdha për ‘tren bullgar’ në Skenderaj, tetë fletëvotime të pavulosura