
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
PZAP gjobit PDK-në me 1,200 euro bazuar në ankesën e BIRN dhe Internews Kosova
Partia Demokratike e Kosovës është gjobitur me 1,200 euro për shkak të thyerjes së heshtjes zgjedhore përmes rrjeteve sociale në ditën e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka shqiptuar këtë gjobë bazuar në ankesën e organizatave joqeveritare BIRN dhe Internews Kosova.
Në ankesë pretendohej se Fiolla Dembogaj, kandidate për asambliste të Kuvendit Komunal të Pejës nga radhët e PDK-së, në ditën e zgjedhjeve kishte bërë një postim duke përdorur një platformë të krijuar nga KQZ, në mënyrë që të inkurajonte qytetarët për të votuar.
Sipas PZAP-së, gjoba duhet të paguhet në afat prej 15 ditësh.
Tutje, në vendimin e PZAP-së potencohet se kandidatja në fjalë pas shpërndarjes së postimit, si mbishkrim ka vendosur edhe emrin e subjektit politik dhe numrin që e mban ajo si kandidate.
PZAP potencon se parashtruesi i ankesës ka bashkëngjitur edhe dëshmi, një fotografi të printuar për shkeljen e supozuar.
Lidhur me këtë ankesë, PDK kishte paraqitur një përgjigje më 19 tetor.
Në përgjigje thuhej se pretendimet janë verifikaur nga ana e tyre dhe se pas komunikimit me kandidaten Fjolla Dembogaj, ajo kishte deklaruar se llogaria e saj në Facebook ishte administruar nga motra e saj në ditën e zgjedhjeve.
Subjekti politik, PDK tutje ka potencuar se është e padrejtë që përmes postimeve private të adresohen ankesa në drejtim të tyre, pasi nuk mabn përgjegjësi për veprime individuale, rrjedhimisht të hidhet poshtë ankesa e parashtuar nga BIRN dhe Internews Kosova.
KËTU mund të lexoni vendimin e plotë.