Foto: PDK-Skenderaj

PZAP e hedhë poshtë ankesën e PDK-së ndaj deputetit Bekim Haxhiut

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka hedhur poshtë ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dega në Skenderaj, kundrejt deputetit të këtij subjekti, Bekim Haxhiu.

Dega e PDK-së në Skenderaj, me datën 9 tetor ka njoftuar se ka parashtruar ankesë ndaj deputetit të vetë, Bekim Haxhiu, nën pretendimin se Haxhiu, gjatë një tubimi elektoral përkrah kandidatit të pavarur, Bekim Jashari, ka paralajmëruar se kush voton kundër listës “Ideal” do të ketë pasoja.

Mirëpo, në arsyetimin e PZAP thuhet se paneli ka vlerësuar se ankesa e parashtruar nga PDK-ja është e pasaftshme.

Paneli ka gjetur se ankesa është parashtruar shtatë ditë pasi ka ndodhur shkelja e supozuar nga PDK-ja.

Sipas tyre, në bazë të rregullores së tyre “për të gjithë çështjet që nuk lidhjen drejtpërdrejt me votimin dhe numërimin, ankesa duhet të parashtrohet pranë PZAP-it brenda 24 orëve nga shkelja e supozuar”.

“Paneli pas shqyrtimit paraprak të afatshmërisë së ankesës ka gjetur se ankesa e parashtrua nga subjekti PDK, kundër Bekim haxhiu, është paraqitur në PZAP me datën 09.10.2021 ndërsa vetë parashtruesi i ankesës në plotësimin e ankesës sipas parashtresës së datës 11.10.2021 e konfirmon se shkelja e supozuar ka ndodhur me datën 04.10.2021, e nga kjo del se ankesa është ushtruar në PZAP, pas afatit të paraparë ligjor të përcaktuar me dispozitën e nenit 5, paragrafi 5 i Rregullores 02/2015 “ Rregullat dhe Procedurat e PZAP-së”, thuhet në arsyetimin e PZAP-së.

KALLXO.com raportoi më 9 tetor se Partia Demokratike e Kosovës, dega në Skenderaj, ka ushtruar ankesë ndaj deputetit të vetë, Bekim Haxhiu.

Haxhiu, gjatë një tubimi elektoral përkrah kandidatit të pavarur, Bekim Jashari, në njërin prej fshatrave të komunës së Skenderajt në një video të publikuar nga “koha.net” dëgjohet duke thënë se “kanë me u regjistru edhe në KQZ, me katund, me bashkësi lokale kush me kënd u kanë. Vallahi me shpi ka me u ditë. Kush u kanë me Jasharët, me Bekim Jasharin e kush kundër tyre u kanë”.

Deputeti Bekim Haxhiu për KALLXO.com kishte thënë se video është nxjerr nga konteksti. Deputeti i PDK-së tha se publikimet, për të cilat flet në tubim elektoral, nuk janë kërcënime.

Zgjedhjet lokale në Kosovë priten të mbahen të dielën, me datë 17 tetor.