Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PZAP: Ankesat, s'mund të bëhen në mënyrë elektronike

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka njoftuar se në ‘Facebook’ po qarkullon një informacion jo zyrtar, që bën thirrje votuesve nga jashtë Kosovës, të cilët nuk janë të përfshirë në Listën e Votuesve, që të ankohen në PZAP në mënyrë elektronike.

PZAP thotë se ai nuk është njoftimi zyrtar i tyre.

“Ju rikujtojmë se PZAP-i, me datën 22 janar 2021 i ka njoftuar votuesit jashtë Kosovës me të drejtë vote të cilët kanë aplikuar për t’u regjistruar për të votuar në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvend të Kosovës, që do të mbahen me 14 shkurt 2021 e që aplikacionet e tyre janë refuzuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor, se mund të parashtrojnë ankesat në PZAP vetëm ne mënyrë fizike përmes postës me dërgesa rekomandë e jo në mënyrë elektronike”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, bëhet e ditur se ankesat mund të parashtrohen përmes formularit, që mund të shkarkohet në ueb sajtin zyrtar.

“Gjithashtu ankesat mund të paraqiten edhe në çfarë do letre A4, por duhet të përmbajë informatat e parashtruesit të ankesës”.