Foto: Oranews.tv

Pylli i Sodës në Vlorë tashmë një vendgrumbullim mbeturinash, i harruar nga premtimet elektorale

“Duke filluar nga sot, pylli i Sodës do të ruhet nga Policia Bashkiake, me staf 24 orë për 7 ditë të javës, për të ruajtur këtë aset të Vlorës. Abuzuesit e pyllit sot kanë një ligj më të fortë që nuk do i lejojë më ta bëjë këtë gjë,” kështu është shprehur kryetari i bashkisë, Dritan Leli në vitin 2016.

5 vite pas kësaj deklarate, të kreut të Bashkisë së Vlorës Dritan Leli, situata e pyllit të Sodës është pothuajse e njëjtë, raporton Oranews.

Pemë të prera e të rrëzuara shihen kudo.

“Do të ndërtojmë parkun e ri në Pyllin e Sodës”, kështu është shprehur Leli në vitin 2015.

Edhe ky premtim është gjatë fushatës elektorale në 2015, por pamjet që vijnë nga atje, tregojnë jo vetëm që parku nuk është ndërtuar, por zona është kthyer në vendgrumbullim mbetjesh.

Mbetje plastike, kartonë , shishe xhami, madje edhe mbetje makinash mund të gjesh këtu.

Qytetarët thonë se nuk kalojnë dot ditën në pyll, për shkak të shkatërrimit, dhe aromës së rëndë.

“Nuk kalojmë dot fare, fare absolutisht. Kalojmë era qelbësirë, si këtu, si këtej, si andej, deri në Zvërnec ky muhabet është”, thotë një banor.

Ambientalistët thonë se ka një mungesë bashkëpunimi ndërinstitucional që e ka çuar Mushkërinë e Vlorës në këtë situatë.

“Nuk është një punë që mund të monitorohet aq lehtë, sepse është e vështirë që të mbulojmë me administratën që kemi këtë lloj fenomeni.

Maksimumi që mund të bëjmë ka të bëjë me sensibilizimin”.