Putini urdhëron ngritjen e trupave në 1.5 milionë

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar të hënën (16.09.2024) ushtrinë e vendit të tij që ta ngritë numrin e trupave për 180 mijë sosh, duke e synuar numrin prej 1.5 milionë ushtarësh, në kohën kur agresioni rus në Ukrainë po bën më shumë se dy vjet e gjysmë prejse ka nisur, raporton Euronews.

Dekreti presidencial, i publikuar në uebfaqen zyrtare qeveritare, do të fuqizohet prej 1 dhjetorit.

Numrin e përgjithshëm të personelit të ushtrisë ruse e ngrit në rresht 2.4 milionë – përfshirë 1.5 milionë trupa luftarake – dhe urdhëron qeverinë që të ofrojë fondet e nevojshme.

Në qershor, Putini kishte thënë se numri i trupave të përfshira në luftën e Rusisë në Ukrainë ishte rreth 700 mijë syresh, ose më shumë se gjysma e krejt ushtarëve aktivë.

Ngritja e kaluar e numrit të trupave ruse u bë në dhjetorin e kaluar, kur me një dekret të Putinit u përcaktua që numri i përgjithshëm i personelit të ishte rreth 2.2 milionë, përfshirë 1.32 milionë trupa.

Pas thirrjes së më shumë se 300 mijë rezervistëve përballë kundërofensivës së Ukrainës në vjeshtën e vitit 2022, autoritetet ruse kanë ndarë mendjen që radhët e trupave luftarake t’i mbushin me ushtarë vullnetarë, të cilët janë joshur me paga relativisht të larta.

Shumë komentues kanë spikatur se Kremlini ka hezituar të mobilizojë më shumë rezervistë, nga frika e reagimit negativ të ngjashëm me atë të vitit 2022, kur qindra mijëra u larguan nga Rusia për të shmangur shkuarjen në luftë.

Mungesa e personelit ushtarak është përmendur me të madhe si arsyeja kryesore pas suksesit të inkursionit të Ukrainës në rajonin Kursk të Rusisë, nisur më 6 gusht.

Kremlini është munduar të shmangë rishpërndarjen e trupave nga Ukraina lindore – ku ushtria e Moskës ishte në ofensivë, duke shënuar përparime në rritje, por të qëndrueshme në muajt e fundit – dhe është mbështetur në përforcime nga zona të tjera për të frenuar inkursionin.

Ministria ruse e Mbrojtjes raportoi të hënën se kishte rimarrë kontrollin e dy fshatrave të tjerë në rajonin e Kurskut nga forcat ukrainase. Euronews nuk mundi të konfirmonte në mënyrë të pavarur këto pretendime.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com