Putini paralajmëron vendet rivale që shkelin "vijën e kuqe" të Rusisë

Presidenti rus Vladimir Putin po paralajmëron rivalët e huaj kundër provokimit apo vënies në provë të forcës së vendit të tij, duke këmbëngulur se përgjigjja e Rusisë do të ishte “asimetrike, e shpejtë dhe e ashpër”.

Komentet u bënë të mërkurën gjatë fjalimit të tij vjetor mbi gjendjen e vendit, mbajtur para zyrtarëve të lartë dhe të dyja dhomave të parlamentit rus. Putini tha gjithashtu se Rusia po përpiqet për marrëdhënie të mira me vendet e tjera. Ai u ofroi një ftesë vendeve për të “diskutuar çështje që lidhen me armët strategjike dhe sigurimin e stabilitetit global”.

Putini vazhdoi më tej duke sugjeruar se në disa vende, është bërë zakon të “fajësohet Rusia për gjithçka. Sikur të ishte një lloj sporti”. Ai tha se Rusia është përmbajtur dhe nuk i është përgjigjur kësaj armiqësie apo vrazhdësie të qartë.

Presidenti rus tha më tej se nëse dikush i gjykonte qëllimet e mira të Rusisë si moskokëçarje ose dobësi, “dhe është i gatshëm të djegë apo edhe të hedhë në erë ura lidhëse, duhet të dijë se përgjigja e Rusisë do të jetë asimetrike, e shpejtë dhe e ashpër”.

“Unë shpresoj që askush nuk do të mendojë të kalojë vijën e kuqe me Rusinë. Dhe ku do të jetë kjo vijë e kuqe, në secilin rast të veçantë, do ta përcaktojmë ne vetë atë”, tha presidenti rus.

Retorika e ashpër vjen një javë pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të reja ekonomike dhe diplomatike kundër Rusisë për përpjekjet e saj për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane dhe për sulmet e saj kibernetike ndaj kompanive dhe institucioneve amerikane.

Pjesa më e madhe e fjalimit të Putinit u përqëndrua në çështje të brendshme, veçanërisht në trajtimin e pandemisë COVID-19 dhe përpjekjet për të ndihmuar ekonominë e saj të dobët të rimëkëmbet nga vështirësitë që ka sjellë virusi/VOA