'Putini e ka humbur luftën e gazit kundër Gjermanisë'

Rusia nuk mund ta përdorë më gazin e saj natyror për ta shantazhuar Berlinin. Gjermania i ka mbushur magazinat e saj pa ndihmën e Gazpromit dhe është përgatitur edhe për dimrin e ardhshëm, shkruan Andrey Gurkov.

Do të ishte e parakohshme të flitej për humbjen ushtarake ruse në Ukrainë. Mirëpo Vladimir Putin e ka humbur luftën e gazit kundër Gjermanisë – dhe një gjë e tillë tashmë mund të thuhet me plot siguri. Gjermania i ka kapacitetet më të mëdha të depozitimit të gazit natyror në të gjithë BE-në. Dhe nëse këto depozitime janë akoma më shumë se 90% plot në mes të janarit, në kulmin e sezonit të ngrohjes, kjo do të thotë se humbja e furnizimeve me gaz rus nuk përbën ndonjë kërcënim tash e tutje.

Kur Rusia e pushtoi Ukrainën ushtaralisht pothuajse 11 muaj më parë, Gjermania importonte më shumë se gjysmën e gazit të saj natyror nga Rusia. Prandaj, shantazhi ndaj Gjermanisë ishte pjesa qendrore e presionit ekonomik që Moska i grumbulloi Bashkimit Evropian, duke patur si synim ta minojë mbështetjen evropiane për popullin ukrainas dhe ushtrinë e tyre.

Gjermania ka hyrë në muajin e pestë pa furnizime të Gazprom

Plani ka dështuar. Gjermanët nuk po ngrijnë në shtëpitë e tyre; ata nuk janë detyruar të mbyllin fabrikat e tyre. Politikanët në Berlin nuk kanë më frikë se Moska mund të hakmerret ndaj Gjermanisë dhe ta sjellë vendin në ngërç. Jo — Gjermania vetë hoqi dorë nga qymyri dhe nafta e papërpunuar nga Rusia si pjesë e sanksioneve të BE-së dhe që nga fundi i gushtit nuk ka marrë asnjë gaz natyror as nga Gazprom.

Me fjalë tjera, gjermanët kanë jetuar pa gaz nga gazsjellësi i supozuar i domosdoshëm rus për pesë muaj tani – dhe ekonomia më e madhe e Evropës duket se këtë po e përballon mjaft mirë. Megjithatë, një recesion pritet të ndodhë ende; kjo nuk do të ishte befasuese, duke pasur parasysh kolapsin e zinxhirëve të furnizimit me dekada dhe rritjen astronomike të çmimeve të energjisë. Mirëpo indikatorët thonë gjithnjë e më shumë se rënia ndoshta do të jetë mjaft e butë. Edhe inflacioni rekord po ngadalësohet.

Ndërkohë, Berlini po e zgjeron mbështetjen e tij ushtarake për Kievin zyrtar, gjë që mund të shihet si dëshmi e mëtejshme, indirekte e dështimit të “operacionit special të gazit” të Putinit. Në fillim të janarit – kur Gjermania po e ruante gazin për të tretën javë radhazi, diçka jo e zakonshme për kohën e vitit – qeveria gjermane e ndryshoi qëndrimin e saj dhe më në fund u bind të dorëzonte transportues të blinduar të personelit në Ukrainë. Tanke të rënda luftarake mund të pasojnë; diskutimet tashmë janë në zhvillim e sipër.

Autoriteti rregullator thotë se gjithçka është e qartë

Në prova të mëtejshme se Putini ka humbur luftën e gazit, ekonomisë dhe popullsisë gjermane i është dhënë një qartësi e qartë nga dy burime në të njëjtën kohë: autoriteti rregullator shtetëror dhe asociacioni i industrisë.

Së pari, Agjencia Federale e Rrjetit njoftoi zyrtarisht se “një mungesë gazi këtë dimër po bëhet gjithnjë e më e pamundur”. Në një intervistë për gazetën, shefi i agjencisë së lartcekur, Klaus Müller, shtoi se tani pret që çmimet e gazit t’i ndalojnë luhatjet dhe të stabilizohen rreth nivelit aktual. Kjo është ende dukshëm më e lartë se më parë, por shumë më e ulët se nivelet rekord të parë gjatë stinës së verës. Me këto çmime, sektorët me energji intensive të industrisë gjermane “më në fund mund të punojnë për të fituar përsëri terren”, tha Müller.

Menjëherë më pas, INES, Shoqata e Operatorëve Gjermanë të Magazinimit të Gazit dhe Hidrogjenit prezantoi skenarët për vitin 2023 në konferencën e saj mujore për media. Duke supozuar mot dhe temperatura normale, niveli i mbushjes në fund të këtij dimri do të ishte 65%, tha ai. Kjo do të ishte një pikënisje jashtëzakonisht e rehatshme për ruajtjen e gazit gjatë muajve të verës dhe për të siguruar nivele mbushjeje prej 100% që në muajin shtator.

Me fjalë të tjera, ekspertët e industrisë po i sigurojnë bizneset dhe familjet gjermane se nuk duhet të presin ndonjë problem me rezervat e gazit as këtë dimër, as dimrat e ardhshëm – me kusht që “të ruhen reduktimet e mëdha aktuale të konsumit”.

Gazprom e ka humbur tregun e tij më të madh të shitjeve

Megjithatë, ekspertët e INES e modeluan edhe skenarin më të keq: moti bëhet veçanërisht i ftohtë, disponueshmëria e gazit natyror të lëngshëm bie masivisht si rezultat i kërkesës shumë të lartë e të befasishme nga Azia dhe Rusia njëkohësisht i ndalon të gjitha furnizimet me gaz në Evropë, gjë që kërkon Gjermania t’i ndajë rezervat e saj në solidaritet me vendet e tjera të BE-së. Megjithatë, edhe në një skenar të tillë, Gjermania nuk ka nevojë t’i frikësohet mungesës së gazit as në periudhën aktuale të ngrohjes, as në tjetrën.

Në esencë, këto dy fakte përgjithësisht të qarta janë konfirmim bindës se Putini me të vërtetë e ka humbur luftën e tij të gazit. Gjermania po e nis vitin 2023 pa gazin rus dhe pa pasur nevojë të shqetësohet për humbjen. Kjo është pikërisht disfata e Kremlinit: gazi natyror rus nuk është më një armë efektive kundër Gjermanisë. Kjo humbje ka pasoja edhe më të gjera: kompania shtetërore Gazprom e ka humbur tregun e saj më të rëndësishëm të shitjeve të huaja. Vetëm një vit më parë, një e katërta e të gjitha eksporteve të saj shitej në Gjermani./Deutsche Welle

Përgatiti: Nuhi Shala