Putini aprovon buxhet rekord për luftën në Ukrainë
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka aprovuar buxhetin me shpenzime rekorde në fushën e mbrojtjes, duke ndarë një të tretën e shpenzimeve totale të qeverisë për luftën në Ukrainë, e cila po shteron resurset e të dyja palëve në luftën pothuajse trevjeçare, ka raportuar më 02.12.2024 televizioni amerikan, CNN.
Buxheti për vitin 2025 ka ndarë 126 miliardë dollarë amerikanë për mbrojtjen kombëtare – apo rreth 32.5 për qind të shpenzimeve të përgjithshme qeveritare për vitin e ardhshëm.
Buxheti i mbrojtjes do të jetë për 28 miliardë dollarë më i lartë se shuma rekorde e vitit të kaluar.
Deputetët në dy dhomat e parlamentit rus e kanë aprovuar buxhetin.
Lufta e Rusisë në Ukrainë është konflikti më i madh në Europë prej kohës së Luftës së Dytë Botërore. Moska aktualisht po shënon përparime në vendet kritike në vijat e frontit dhe po lufton në një kundërofensivë në rajonin rus, Kursk – vendi i vetëm ku Ukraina ka shënuar sukses sivjet.
Por lufta e gjatë ka nisur t’i shterojë burimet e të dyja vendeve, vlerëson CNN.
Ukraina gjithnjë ka qenë më ngushtë kur ka ardhur puna te paratë dhe fuqia njerëzore, megjithëse ka marrë miliarda dollarë amerikanë prej aleatëve të saj perëndimorë, përfshirë edhe më shumë se gjysmëmiliardi dollarë pajisje ushtarake të zotuara të hënën nga kancelari gjerman, Olaf Scholz.
Mbetet të shihet se sa do të ndihmohet nga Shtetet e Bashkuara kur në janar në krye të Shtëpisë së Bardhë do të kthehet presidenti zgjedhur republikan, Donald Trump.
Njëherësh, Rusia vazhdon të ketë më shumë armë dhe trupa – por kjo luftë po e dërmon ekonominë dhe popullsinë e saj.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com