Putin nënshkruan dekret të ri për mobilizim ushtarak në luftën kundër Ukrainës

Presidenti rus, Vladimir Putin ka nënshkruar një dekret për të thirrur 147,000 qytetarë rusë për shërbimin ligjor ushtarak si pjesë e fushatës së rekrutimit pranveror të vendit, njoftuan mediat shtetërore ruse.

Udhëheqësi rus nënshkroi për herë të fundit një fushatë rutinë rekrutimi në shtator, duke thirrur 120,000 qytetarë për shërbimin ligjor, tha agjencia shtetërore e lajmeve Tass.

Autoritetet ruse po përgatiten ta nisin një fushatë të rëndësishme rekrutimi që synon nënshkrimin e 400,000 trupave të reja për luftën në Ukrainë, ka deklaruart Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar në përditësimin e saj të fundit të inteligjencës, duke i cituar mediat ruse.

Moska zyrtare po e prezanton fushatën “si një përpjekje për personelin vullnetar, profesional, sesa një mobilizim të ri, të detyrueshëm”, thuhet nga kjo Ministri, duke shtuar se në praktikë autoritetet rajonale mund të përpiqen t’i detyrojnë burrat t’i bashkohen kësaj lufte. “Ka shumë pak gjasa që fushata të tërheqë 400,000 vullnetarë të vërtetë”- tha ai.

Disa prindër ukrainas i kanë fshehur fëmijët e tyre në bodrume për ta parandaluar marrjen e tyre nga forcat ruse, kanë thënë vullnetarët ukrainas të cilët i kanë evakuuar civilët nga vijat e para të luftës me Rusinë.

Ndërkohë që prindërit kanë dhënë arsye të ndryshme, shumica e vullnetarëve ia atribuojnë fenomenin një kombinimi të varfërisë dhe gjendjes psikologjike të familjeve, të cilat prej muajsh jetojnë nën bombardime.

Në anën tjetër, autoritetet ruse e kanë arrestuar një gazetar amerikan që punonte në Rusi duke e akuzuar të njëjtin për spiunazh, një akuzë që mund të dënohet me burgim deri në 20 vjet. Evan Gershkovich, reporter i mirënjohur nga Wall Street Journal, u arrestua të mërkurën gjatë një udhëtimi raportues në qytetin Urals të Ekaterinburgut.

SHBA është “thellësisht e shqetësuar” për arrestimin e Gershkovich. Departamenti i Shtetit “ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë” me qeverinë ruse në lidhje me ndalimin e gazetarit, “duke përfshirë punën aktive për të siguruar qasje konsullore” për të, konfirmoi Shtëpia e Bardhë./The Guardian