Presidenti rus, Vladimir Putin, Foto: Twitter

Putin nënshkruan dekret për pagesa të gazit rus vetëm me rubla

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka nënshkruar një dekret ku thuhet se blerësit e huaj duhet të paguajnë me rubla (monedha ruse) për gazin rus që nga 1 prilli dhe se kontratat do të ndërpriten nëse këto pagesa nuk do të kryhen.

“Për të blerë gaz natyror rus, ata duhet të hapin llogari në rubla në bankat ruse. Nga këto llogari do të bëhen pagesat për gazin e dorëzuar duke filluar nga nesër”, tha Putin në një fjalim televiziv.

Putin ka shtuar se nëse pagesa të tilla nuk bëhen,  ata do ta konsiderojnë këtë si një mospagim nga ana e blerësve, me të gjitha pasojat që rrjedhin tutje.

“Askush nuk na shet asgjë falas, dhe ne nuk do të bëjmë as bamirësi – domethënë, kontratat ekzistuese do të ndërpriten.”

Ai tha se sanksionet perëndimore ishin përgatitur më parë dhe lufta ekonomike kundër Rusisë filloi vite më parë.

Putin tutje shtoi se Perëndimi do të përpiqet shumë të gjejë arsye për sanksione të reja.

Rusia e furnizon rreth një të tretën e gazit të Evropës, por deri më sot kompanitë dhe qeveritë perëndimore e kanë refuzuar kërkesën ruse për pagesë në rubla si një shkelje e kontratave ekzistuese, të cilat janë vendosur në euro ose dollarë./The Guardian