Foto: VladimitPutin/Twitter

Putin: Ne nuk kemi filluar ende asgjë seriozisht në Ukrainë

Presidenti rus, Vladimir Putin, paralajmëroi se Moska mezi e kishte nisur fushatën e saj ushtarake në Ukrainë duke e sfiduar perëndimin që të përpiqej ta mposhtte atë në fushën e betejës.

Putin tha se perspektivat për çdo negociatë do të zbehen sa më gjatë të zvarritet konflikti, gjatë një fjalimi para liderëve parlamentarë.

“Të gjithë duhet ta dinë se, në përgjithësi, ne nuk kemi filluar asgjë ende seriozisht,” tha ai. “Sa më tej të shkojë, aq më e vështirë do të jetë për ta që të negociojnë me ne.”

Tre persona u vranë dhe pesë të tjerë u plagosën pasi forcat ruse qëlluan me raketa në Kharkiv, thanë zyrtarët. Guvernatori rajonal, Oleh Synyehubov, tha se një zonë në qytetin verilindor të Ukrainës u granatua të enjten.

Të paktën një person u vra dhe gjashtë u plagosën nga një sulm me raketë në Kramatorsk që goditi një zonë të banuar, sipas guvernatorit rajonal të Ukrainës të Donetsk. “Ky është një sulm i qëllimshëm ndaj civilëve,” tha Pavlo Kyrylenko, duke shtuar se ky nuk do të ndalet derisa rusët të ndalen.

Sot është dita e 135-të e luftës në Ukrainë, luftës më të madhe tokësore në Evropë në dekada. 

Kryebashkiaku i Slovianskut tha se qyteti i tij pranë Kramatorsk është vënë nën zjarrin rus. Disa banorë u plagosën, tha Vadym Lyakh, pa dhënë detaje të mëtejshme. Ushtria e Ukrainës tha se presioni po intensifikohet me granatime të rënda në Sloviansk dhe zonat e populluara aty pranë.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka thënë se ka vrarë ushtarakë ukrainas që po përpiqeshin ta ngrinin flamurin e Ukrainës në ishullin e gjarpërinjve të rimarrë së fundmi. Autoritetet në Odesa dukej se konfirmuan se raketat kishin goditur ishullin dhe se rusët kishin shkatërruar gjithashtu dy hangarë me drithëra në rajon që përmbanin “rreth 35 ton drithë”. Ukraina i ka mohuar njoftimet për vdekjen e ndonjë prej ushtarakëve të saj.

Analistët e huaj thonë se Rusia mund të jetë duke e lehtësuar përkohësisht ofensivën e saj në Ukrainën lindore në një “pauzë operacionale” ndërsa forcat e saj përpiqen të mblidhen për një sulm të ri. Sipas Institutit për Studimin e Luftës, forcat ruse nuk bënë asnjë fitim territorial të pretenduar apo të vlerësuar në Ukrainë të mërkurën “për herë të parë në 133 ditë lufte”.

Ukraina  e ka ftuar ambasadorin turk pasi tha se Turqia kishte lejuar një anije me flamur rus që transportonte mijëra tonë drithë të dyshuar ukrainas të vjedhur të largohej nga porti i Karasu. Zyrtarët turq të doganave e kishin konfiskuar anijen me kërkesë të Ukrainës të martën, pasi Kievi tha se ngarkesa po transportonte ilegalisht 7,000 tonë drithë nga Berdiansk i pushtuar nga Rusia, një port në juglindje të Ukrainës.

OKB-ja ka paralajmëruar për një “katastrofë urie” për shkak të bllokadës së grurit ukrainas nga Rusia. Patrick Beasley, drejtor i Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së, tha se një katastrofë urie do të shpërthejë gjatë dy viteve të ardhshme dhe bëri thirrje për një heqje urgjente të bllokadës ndaj 25 milionë ton drithë ukrainas të bllokuar nga një bllokadë ruse.

Hetuesit në Ukrainë thanë se e kanë penguar një bandë kriminale që i detyronte gratë të kryenin punë seksuale jashtë vendit pasi i joshnin me reklama të rreme për punësim legjitim. Autoritetet në Kiev arrestuan liderin e dyshuar të bandës pasi disa muaj të përgjimit rezultuan në ndalimin e një gruaje teksa ajo ishte gati ta kalonte kufirin.

Prokurorët rusë kanë kërkuar dënime me burg për një aktivist të njohur opozitar dhe për një anëtar të këshillit të qytetit të Moskës që e kundërshtojnë pushtimin e Ukrainës. Alexei Gorinov përballet me 15 vjet burg për përhapjen e “informacioneve të rreme me vetëdije” për ushtrinë ruse. Gorinov i kritikoi veprimet ushtarake të Moskës në Ukrainë në një takim të këshillit të qytetit në mars.

Basketbollistja amerikane Brittney Griner është deklaruar fajtore për akuzat për drogë në një gjykatë ruse, por tha se ajo nuk e kishte shkelur qëllimisht ligjin. Griner përballet me deri në 10 vjet burgim sipas akuzës. 

Ministri i Jashtëm i Rusisë ka fluturuar në ishullin indonezian të Balit për një mbledhje të ministrave të jashtëm të G20. Mbledhja, e cila ka të ngjarë të zbehet nga lufta e Moskës në Ukrainë dhe ndasitë e thella brenda bllokut mbi mënyrën se si t’i përgjigjet krizës, do ta shënojë herën e parë që Sergei Lavrov ka takuar homologë nga vendet që janë fort kritikë ndaj luftës.

Boris Johnson ka biseduar me Volodymyr Zelenskiy “për ta përsëritur mbështetjen e palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar” në dritën e dorëheqjes së tij si kryeministër britanik, tha Doëning Street. Në fjalimin e tij të dorëheqjes, Johnson iu drejtua drejtpërdrejt popullit të Ukrainës dhe premtoi se “Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta mbështesë luftën tuaj për liri për aq kohë sa të duhet”.

Dorëheqja e Johnson është pritur me trishtim në Kiev, veçanërisht nga Volodymyr Zelenskiy, i cili tha se kryeministri ka qenë një “mik i vërtetë i Ukrainës”. Ukraina pret që mbështetja e Britanisë të vazhdonte pavarësisht dorëheqjes së Johnson, ka thënë zyra e Zelenskiy. Mikhail Podolyak, këshilltar kryesor i Zelenskiy, e falënderoi Johnson që “gjithmonë ka qenë në ballë të mbështetjes së Ukrainës”.

Rënia e Johnson është pritur me kënaqësi dhe tallje në Moskë, me një zëdhënës të Kremlinit duke thënë: “Ne nuk i pëlqejmë atij. As ne nuk na pëlqen ai.” Ambasadori i Rusisë në Britani, Andrei Kelin, tha se Moska do të preferonte dikë “jo aq antagonist” për ta udhëhequr Britaninë e Madhe./The Guardian