Presidenti rus, Vladimir Putin, Foto: Twitter

Putin: Ekonomia ruse u tkurr, por tejkaloi pritshmëritë

Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë të martën se ekonomia ruse mund të jetë tkurrur 2.5 për qind më 2022, mirëpo ka pasur performancë më të mirë sesa që e kanë pritur shumë ekspertë.

Putin i ka bërë këto deklarata pas një takimi me zyrtarë të lartë rusë, përfshirë ministrin e Financave dhe shefin e Bankës Qendrore, dhe ka thënë se duhet të stimulohet rritja e pagave.

“Dinamika aktuale ka qenë më e mirë sesa që e kanë parashikuar shumë ekspertë. Sipas Ministrisë për Zhvillim Ekonomik, bruto-prodhimi i brendshëm i Rusisë në periudhën janar-nëntor 2022 është ulur, mirëpo vetëm 2.1 për qind”, ka thënë Putin.

“Shumë ekspertë në shtetin tonë, pa i menduar të huajt, kanë parashikuar ulje prej 10 dhe 15 për qind, madje edhe 20 për qind. Për vitin në përgjithësi, ulja pritet të jetë 2.5 për qind”, ka thënë ai.

Lufta në Ukrainë dhe vendosja e sanksioneve perëndimore kanë dëmtuar shumë sektorë të ekonomisë ruse, përfshirë edhe kufizimin e eksporteve të naftës dhe gazit.

Derisa qeveria dhe banka qendrore kanë pranuar vështirësitë, Moska ka thënë se ekonomia e saj është e qëndrueshme dhe se sanksionet i janë kthyer bumerang Perëndimit, duke rezultuar me rritje të inflacionit dhe çmimeve të energjisë.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre/REL.