Putin e akuzon Ukrainën 'për një tjetër provokim të madh'
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka akuzuar Ukrainën për lansimin e “një tjetër provokimi të madh” pasi zyrtarët e mbrojtjes thanë se rreth 300 trupa ukrainase e kaluan kufirin në rajonin rus Kursk të martën, ka raportuar transmetuesi britanik, BBC.
Luftimet raportohet se po zhvillohen në rajon, derisa trupat e Moskës zyrtare të mbështetura nga 11 tanke dhe më shumë se 20 makina tjera luftarake kaluan kufirin afër qytetit Sudzha, nja dhjetë kilometra larg vijës së frontit.
Mijëra njerëz janë larguar nga shtëpitë në rajon, kanë thënë zyrtarët. Ukraina ende nuk e ka komentuar pretendimin rus.
Duke folur para një takimi të Këshillit të Sigurisë në Moskë, Putini ka akuzuar forcat ukrainase se po hapin zjarr në drejtim të ndërtesave dhe shtëpive të civilëve në rajon pa e pasur parasysh se kush ndodhet brenda tyre.
Luftime raportohet se kanë ndodhur në fshatra të ndryshme përgjatë territorit rus të martën në brezin kufitar. Këto zhvillime rrodhën pas sulmeve ajrore ukrainase që lanë të vdekur tre civilë, dhe që vazhduan edhe gjatë natës, kanë thënë autoritetet ruse.
24 persona, përfshirë gjashtë fëmijë, janë plagosur në granatimet ukrainase në rajonin kufitar me Rusinë, pretendon Moska zyrtare.
Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se ka ndaluar avancimin e forcave të armatosura të Ukrainës në “më thellë në territorin rus” në rajonin Kursk dhe ka bërë të ditur se ka shkatërruar gjatë natës disa dronë ukrainas. Autoritetet në Kursk u kanë bërë thirrje banorëve që të reduktojnë lëvizjet.
Xhirimet online – dhe të verifikuara edhe nga BBC-ja – kanë treguar aeroplanët luftarakë duke fluturuar ulët në qiellin e rajonit të martën, me shtëllungat e tymit që po ngriheshin nga toka. Presidenti Putin ka ngulmuar se situata është nën kontroll.
Rusia ka nisur agresionin në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com