Presidenti rus, Vladimir Putin.

Putin: Bisedime “mjaft konstruktive” me Bidenin

Takimi midis presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, të mërkurën në Gjenevë të Zvicrës, përfundoi pas më shumë se tri orësh.

Dy presidentët fillimisht u takuan në një seancë më të vogël, ndërsa më vonë u përfshinë edhe zyrtarë të të dyja palëve.

Në një konferencë për media pas samitit, Putin tha se nuk kishte armiqësi gjatë takimit dhe se bisedimet ishin “mjaft konstruktive”.

“Vlerësimi ynë për shumë çështje ndryshon, por, sipas mendimit tim, të dyja palët demonstruan dëshirën për të kuptuar njëra-tjetrën dhe për të kërkuar mënyra për t’u afruar me njëra-tjetrën”, tha Putin.

Ai tha se u pajtua me Bidenin që t’i kthejnë ambasadorët në postet e tyre, në përpjekje për të ulur tensionet.

Konfirmim për këtë nga Shtëpia e Bardhë nuk ka ende.

Ambasadori i Rusisë në SHBA, Anatoly Antonov, u tërhoq nga Uashingtoni rreth tre muaj më parë, pasi Biden e përshkroi Putinin si “vrasës”.

Ambasadori amerikan, John Sullivan, u largua nga Moska gati dy muaj më parë./REL