Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin

Pushtimi i Ukrainës, dëshmi se Putinit po i prishet plani i luftës

 

Pushtimi i plotë i Ukrainës ishte planifikuar nga Kremlini si një operacion i shpejtë dhe i vendosur ushtarak. Ishte menduar se do të ishte vetëm çështje ditësh kur Rusia do ta pushtonte Ukrainën, ose më së shumti brenda javësh derisa Rusia të merrte kontrollin e establishmentit në shtetin fqinj kur e nisi luftën pothuajse dy vjet e gjysmë më parë, shkruan redaktori i BBC-së për Rusi, Steve Rosenberg.

Lufta në Ukrainë po vazhdon, por nuk po shkon qysh e kishte planifikuar Moska, kujton ai. “Por ka një gjë. Gjatë 29 muajve të kaluar, aq shpesh kemi dëgjuar zyrtarë të lartë rusë duke pretenduar se operacioni ‘po shkon sipas planit’, madje këtë e kishte thënë edhe presidenti Putin në muaj pavarësisht çfarë kishte ndodhur përgjatë këtyre dy vjetëve”.

Rosenvberg kujton se si Rusia humbi shumë ushtarë në fushëbetejë, iu shkatërruan shumë luftanije në ujërat e Detit të Zi, u bënë shumë sulme me dronë ukrainas brenda territorit rus (madje deri në vetë Kremlinin), u granatuan qytezat dhe fshatrat ruse përgjatë brezit kufitar, dhe iu përballë me poshtërimin e mercenarëve të “Wagnerit” që synonin të mbërrinin me tanke deri në Moskë, shkruan Rosenberg.

Sot edhe rajoni Kursk, që dikur mendohej si fortesë ruse, po përballet me sulmet e Ukrainës. “Çfarë po ndodh në rajonin e Kurskut është dëshmi e mëtejshme se lufta e Rusisë në Ukrainë ‘nuk ka shkuar sipas planit’. Ngjarjet duket se i kanë zënë krejtësisht në befasi njerëzit e lidershipit politik dhe ushtarak të Rusisë”, shkruan Rosenberg.

“Dhe mos prisni se Rusia do ta pranojë këtë. Me hsumë gjasë zyrtarët rusë do ta përdornin sulmin ukrainas për të mobilizuar rreth vetes opinionin publik rus dhe për t’i dhënë shtytje narrativës zyrtare të Kremlinit se në këtë konflikt, Rusia nuk është agresorja dhe se Rusia është rrethuar në kalanë e saj prej armiqve, të cilët po komplotojnë invadimin dhe shkatërrimin e saj”, shkruan Rosenberg, derisa analizon qasjen e propagandës ruse.

Në vend se ta pranojë se “operacioni special ushtarak” ishte një gabim i madh, shumica e njerëzve me të cilët ka folur Rosenberg kanë thënë se ushtria e tyre ruse duhet të avancojë me sulme dhe të futet më në thellësi të territorit ukrainas.

Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, po e bën pikërisht të njëjtën. Në një postim në mediat social, sot ai ka shkruar: “Ne mund dhe duhet ta marrim tokën e Ukrainës që ende ekziston. Duhet të shkojmë deri në Odesë, Kharkiv, Dnipro, Mykolaiv. Deri në Kiev dhe më tej”.

Por Medvedev nuk është ai që jep urdhra. Kjo është punë e Vladimir Putinit. “Nepo presim të shohim se si do të reagojë ndaj atyre që kanë qenë ditë dramatike në Rusinë jugore”, shkruan Rosenberg, redaktori i BBC-së për Rusi.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com