
Ilustrim
Pushteti e opozita, bashkë për Projektligjin për zgjedhjet
Si rrallë herë gjatë kësaj legjislature, deputetët e partisë në pushtet dhe ata të opozitës janë të të njëjtit mendim sa i përket një çështje, Projektligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë.
Derisa ky projektligj po shqyrtohet në parim, grupet parlamentare të të gjitha partive janë shprehur pro miratimit të tij.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur përfundimin me sukses të kësaj reforme zgjedhore.
Ai ka thënë se disa nga çështjet që rregullohen me këtë projektligj janë: regjistrimi i votuesve jashtë vendit, e drejta e votës, numërimi i votave, mbështetja financiare shtesë për partitë që krijojnë më shumë hapësirë për deputete gra.
“Përpjekjet për reformë zgjedhore patën filluar menjëherë pas zgjedhjeve të 2010-s që patën përfunduar me parregullsi të shumta që u patën kategorizuar nga ndërkombëtarët si zgjedhje me vjedhje industriale të votave. Pas secilit proces zgjedhor ka pasur raporte që kanë shpërfaqur probleme e mangësi nga misione të bashkimit evropian”- ka thënë ai.
Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, mbështetje Projektligjit i ka dhënë edhe deputeti Adnan Rrustemi.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se në grupin punues është arritur një përmbledhje nga të gjitha grupet.
“Kemi arritë me bo një përmbledhje jashtëzakonisht të mirë pra duke përfshirë rekomandimet e BE-së, të KQZ-së si nga grupet parlamentare pra të gjitha këto subjekte që të ndimojnë në zgjedhjet e radhës kurdo që të mbahen të kemi një proces zgjedhor më të rregullt e cila do ta fuqizojë demokracinë në vendin tonë”- ka thënë ai.
Nga Lidhja Demokratike të Kosovës, deputetja Hykmete Bajrami, ka thënë se partia e saj e mbështet projektligjin.
“Duke marrë parasysh që komisioni ka marrë parasysh të adresojë të gjitha rekomandimet e BE-së ne si komision i kemi arritur të kemi konsensus të plotë. Grupi Parlamentar i LDK-së e mbështet projektligjin”- ka thënë ajo.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë një mësim që është marrë nga ky proces është që kur partitë politike vendosin të bëhen bashkë për një qëllim fisnik, ato i tejkalojnë interesat e veta dhe i japin Kosovës dhe sistemit demokratik një ligj që e ka konsensusin e plotë.
“Pika tjetër e rëndësishme është për diasporën, votimin mund ta bëjnë në kuti postare në Kosovë, në diasporë dhe në misione diplomatike. Një padrejtësi e madhe gjatë këtij procesi lidhet me ankesën, më herët ankesa ka qenë 24 orë sot i bie që ka kohë 48 orë. Kjo nuk është reformë e thellë por kjo reformë i ka përfillur 95 për qind rekomandimet e BE-së, SHBA-së dhe OJQ-ve”- ka thënë ai.
Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë përcakton rregullat e organizimit të sistemit zgjedhor, duke përfshirë rregullat për përgatitjen, zhvillimin, administrimin, mbikëqyrjen dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës.