QKMF në Skenderaj Foto: Komuna e Skenderajt

Pushimi vjetor 'mollë sherri', QKMF në Skenderaj sot me 'tre drejtorë'

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura ka vendosur përkohësisht një ushtrues të detyre të drejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), ndonëse ky institucion kishte një drejtor në pushim vjetor dhe një zëvendësdrejtoreshë të cilës iu ishin autorizuar kompetencat nga drejtori Osman Veliu.

Nura e ka arsyetuar këtë vendim të tij me faktin se vendimi i pushimit vjetor ka qenë joligjor.

Gjithashtu edhe pika 5 e nenit 13 të Statutit të QKMF-së të Skenderajt thotë se zëvendësdrejtori ndihmon në ushtrimin e detyrave të përditshme dhe vepron në emër të drejtorit në mungesë të tij.

Agron Mehmeti është vendosur përkohësisht në krye të QKMF-së.

Mehmeti është ish-kandidat për asamble të Komunës së Skenderajt nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Me profesion ai është specializant i Pediatrisë. Ndërsa procedurat për emërimin e drejtorit thonë se drejtori duhet të jetë mjek specialist nga Mjekësia Familjare.

Për emërimin e tij, kryetari Fadil Nura është thirrur në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive që ka si kryetar.

“Ditë e re me përgjegjësi të reja! E gjithë kjo krahas nevojës së menjëhershme për të adresuar nivelin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore.Gjendja e rëndë në këtë sektor është e papranueshme, shkaqet dhe arsyet nuk mund të jenë të pakalueshme në raport me kërkesat dhe nevojat e qytetarëve, andaj jemi mëse të vendosur për t’i dhënë zgjidhje të duhur!”, kishte shkruar Nura në rrjetin social “Facebook”.

Vendimi për shefin e ri të përkohshme ka ardhur në QKMF më datën 20 dhjetor 2021, pikërisht në ditën kur drejtori Osman Veliu po dilte në pushim vjetor deri më 31 janar 2022.

Veliu për KALLXO.com ka thënë se nga informatat që ka u.d Agron Mehmeti do të qëndroj deri të kthehet ai nga pushimi vjetor.

“Unë akoma nuk kam marrë asnjë dokument zyrtar në lidhje me ndonjë shkarkim dhe se në një takim sot (22 dhjetor) me kryetarin i është thënë mjekëve së ushtruesi i detyrës se drejtorit do të qëndroj derisa te kthehet drejtori nga pushimi vjetor, atëherë nuk e shoh te arsyeshme të jap ma shumë informacione”, ka thënë Veliu për KALLXO.com

Por, sipas zëvendësdrejtoreshës së QKMF-së, Florentina Shala – Gashi të gjitha kompetencat ia kishte autorizuar drejtori Veliu që rrjedhimisht, sipas saj, nuk ka pasur nevojë për një U.D përderisa është ajo në detyrë, deri të kthehet Veliu nga pushimi vjetor.

“Doktor Osman Veliu është drejtor i QKMF-së me kontratë katër vjeçare. Ka kërkuar pushimin vjetor që nuk e kemi shfrytëzuar, as ai e as unë për shkak të situatës me pandeminë, e ka pasur të nevojshme tash me marrë pushimin. Unë si zëvendësdrejtoresh me kontratë dhe kompetencat të plota dhe me autorizimin nga drejtori jam me kompetenca të plota si drejtor i QKMF-së deri të kthehet. Në të njëjtën kohë, nuk e di, neve na ka ardhë një vendim prej kryetarit të Komunës që ka emëruar një prej doktorëve”, u shpreh ajo.

“Qysh e tek nuk e di, veç e di që jemi tre drejtorë për momentin drejtor të QKMF-së”, është shprehur Shala – Gashi.

KALLXO.com ka provuar që të marrë koment edhe nga Agron Mehmeti por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Komuna ngrit dyshimet se vendimi i pushimit vjetor ishte i kundërligjshëm

Fadil Nura, kryetar i Komunës së Skenderajt, në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se e ka vendosur përkohësisht ushtrues të detyrës të ri sepse nuk ia ka besuar detyrën e udhëheqjen zv/drejtoreshës Florentina Shala – Gashi.

Sipas kryetarit Nura, ajo ka shkelur Ligjin kur i’a ka dhënë pushimin vjetor drejtorit Osman Veliut.

“Drejtori ka marrë pushim dhe fatkeqësisht, drejtorit të QKMF-së i ka dhanë zëvendësdrejtoresha pushim, që është shkelje e ligjit. A ke dëgju vartësi me i dhanë pushim kur e ki eprorin që me ligj e përcakton me dhanë pushim. Pra, zëvendësdrejtoresha e ka shkel ligjin”, tha Nura.

Nura deklaroi se Agron Mehmeti do të zëvendësoj Osman Veliun deri më 1 shkurt 2022.

“Drejtori kur ka shku në pushim, ka njoftu që ka shku në pushim. Për një muaj e gjysmë, gjendja me gripin sezonal, unë nuk kam guxu me ja lanë asaj zëvendësdrejtoreshë që e ka shkel ligjin, e që është edhe juriste, fatkeqësisht, me lanë komplet sistemin shëndetësor në duart e saj. Edhe e kam emëruar njërin prej doktorëve që janë aty deri sa të kthehet drejtori”, ka thënë Nura.

Sipas tij, tashmë janë duke shqyrtuar vendimin që e ka nxjerrë zëvendësdrejtoresha Florentina Shala – Gashi për pushimin vjetor të doktorit Osman Veliu.

Në anën tjetër, zëvendësdrejtoresha e QKMF-së, Florentina Shala – Gashi shprehet e bindur se nuk shkelur ligjin.

Sipas saj, çdo herë procedurat për nënshkrimin e pushimit vjetor të drejtorit kanë shkuar vetëm brenda mekanizmave të QKMF-së.

“Këto janë fjalë të kryetarit të Komunës, më vjen keq, është një rregullore e brendshme. Pushimi nuk nënshkruhet nga shefat jashtë institucionit, për këtë arsyeje organizohet brenda institucionit. Dhe mëqenëse që drejtori e ka informuar drejtoreshën e Shëndetësisë, është aprovuar në njëfarë mënyre. Unë jam pjesë e menaxhmentit të QKMF-së, pushimin vjetor për drejtorin nuk nënshkruhet nga DMSh-ja, ata e shohin joligjore, por kanë mujtë me i kallxu, ose me më kontaktu mu, dhe jo me shku në këtë formë”, u shpreh ajo.

Pas kësaj KALLXO.com ka kontaktuar sërish drejtorin Osman Veliu i cili thotë se për pushimin e tij e kishte informuar edhe drejtoreshën e Shëndetësisë.

Sipas tij, ajo nuk ia kontestuar vendimin e nënshkruar nga zv/drejtoresha e QKMF-së, Florentina Shala – Gashi, veçse i ka uruar “pushime të këndshme”.

Drejtoresha e Shëndetësisë, Rrezarta Ibrahimi, nuk ka pranuar që të deklarohet përmes telefonit por ka kërkuar që pyetjet t’i drejtohet zyrës për media për informacione.

Ndërsa, Zyra për Informim ka deklaruar se baza ligjore në të cilën pretendojnë se është shkelur gjatë dhënies së pushimit vjetor të doktor Veliut është Ligji i Nr. 03/L-212 ​(Ligji i Punës) dhe Statuti i QKMF-së, neni 13.

Sipas këtij Ligjit, neni 37, punëdhënësi paraprak është i obliguar që në formë të shkruar t’i informojë të gjithë të punësuarit për bartjen e detyrimeve dhe përgjegjësive tek punëdhënësi i ardhshëm.

Ndërkaq Statuti i QKMF-së i miratuar në korrik të vitit 2021, neni 13, pika 3 thotë se “Drejtori i QKMF i përgjigjet për menaxhimin mjekësor, administrativ dhe financiar të të gjitha funksioneve të shërbimeve në QKMF, kryetarit të Komunës së Skenderajt dhe drejtorit komunal për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale”.

Në anën tjetër, më 24 dhjetor 2021, ish-kryetari Bekim Jashari në një reagim të gjatë deklaroi se emërimi i U.D të ri, përderisa ekziston drejtori i zgjedhur me konkurs, është edhe “një marrëzi dhe shkelje e rëndë”.

Sipas Jasharit, Osman Veliu, është drejtor i zgjedhur me konkurs dhe mandati i tij përfundon mbas katër viteve.

Ai shtoi se shkarkimi i tij nuk mund të bëhet nga kryetari i komunës pa pasur procedura disiplinore ndaj tij.

“Për më tepër, emërimi u.d drejtor i QKMF-së i një njeriu pa kualifikim të nevojshëm (pasi që duhet të jetë mjek familjar) që vjen nga partia në pushtet, një ish kandidat për asamble nga PDK-ja, duke ekzistuar drejtori aktual është edhe një absurd dhe skandal në vete i këtij pushteti, një krim mbi institucionin që është në shërbim të qytetarëve në këtë kohë pandemie dhe një ofendim dhe demoralizim i stafit të spitalit i cili ka dhënë një kontribut dhe sakrificë të jashtëzakonshme në luftë me COVID-19”, u shpreh Jashari në rrjetin social “Facebook”.