‘Pushimi i kalorësve’, premierë në muajin mars

Javën e ardhshme, Baleti Kombëtar i Kosovë shfaq premierën e baletit, “Pushimi i kalorësve”, me koreografi të Natalia Osipova.

Balerini Kreshnik Musolli, ushtrues i detyrës së drejtorit të BKK-së, ka pohuar për Kallxo.com se premiera e parë për këtë vit e BKK-së do të shfaqet me 5 mars 2020, në skenën e Teatrit Kombëtar.

Shfaqja “Pushimi i kalorësve”, me koreografi të Natalia Osipova, me një titull simbolik, tregon për fuqinë që ka dashuria pavarësisht rrethanave.

Ngjarja zhvillohet diku në Austri dhe kalorësia ushtarake, pasi ndalon në një qytezë për pushim ‘pushtohet’ nga dashuria e vajzave të asaj qyteze.

“Provat për premierën ‘Pushimi i kalorësve’, me koreografi të Natalia Osipova kanë nisur më 12 shkurt të këtij viti , ndërsa premiera shfaqet javën e ardhshme, me 5 mars 2020”, ka thënë Musolli.

Shfaqja ‘Pushimi i kalorësve’ është premiera e parë për këtë vit, ndërsa BKK-ja planifikon realizimin e së paku edhe dy premierave tjera të baletit gjatë 2020.